Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Negociatat/ Rama nga Brukseli: Është lojë e madhe kjo që po luhet! Rrezikon dhe Serbia me Malin e Zi

Negociatat/ Rama nga Brukseli: Është lojë e madhe kjo që po
Pas takimit me Presidentin e KE, Donald Tusk, Edi Rama ka dhënë një intervistë për A2 nga Brukseli, ku foli për situatën aktuale të bisedimeve për negociatat.

Rama tha se është një moment i rëndësishëm për Europën dhe se duhet të kuptojmë ekzaktësisht se për çfarë bëhet fjalë dhe të mos biem në pesimizëm.

“Kjo situatë nuk ka lidhje me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut me atë që kemi bërë apo çfarë nuk kemi bërë, por ka lidhje me çfarë duan dhe çfarë nuk duan vendet anëtare. Ka një bllok të madh për “Po”, i cili kërkon vazhdimin e procesit. Pastaj ka dhe një barrikadë nga ana e Francës për të ndryshuar natyrën e procesit. Është një përplasje qasjesh brenda familjes europiane. Vazhdojnë përpjekjet intensive në të gjitha drejtimet. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm. Presidenti Tusk është një avokat i palëkundur i procesit. Kemi shkëmbyer informacionet e orëve të fundit. Përpjekjet vazhdojnë. Më e mira do të ishte një zgjidhje kompromisi, por mund të ndodhë gjithçka, çdo opsion është i hapur. Ka një përpjekje të brendshme të shumë vendeve për të bërë më të mirën dhe për të mos e lënë procesin të hyjë në hulli të panjohur”, tha Rama, për A2.

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut ndahet nga Shqipëria, a do të ishte një dështim për Tiranën Rama tha se ideja e ndarjes është valëvitur nga ata që nuk kuptojnë asgjë nga vendi ynë dhe mundohen të kapen pas çdo fije bari si i mbyturi. Rama gjithashtu tha se ka mundësi që edhe Serbia dhe Mali i Zi të përfshihen në një proces të ri.

“Është një lojë shumë më e madhe nga ajo që na përfshinë ne si Shqipëri. Unë mbetem realist. Nuk jam as optimist as pesimist. Në datën 19 dielli do të lindë përsëri dhe ne do të vazhdojmë përpjekjen. Ne nuk e bëjmë këtë për shtetet e BE, por për veten tonë. Herët apo vonë do të vijë në tryezë. Tani kanë hyrë në lojë të gjithë të mëdhenjtë. Kancelarja e udhëheq frontin e “Po”-së. Më mirë se kaq ne nuk mund të kishim në këtë moment. Të shohim si do të përfundojë në tryezën e Këshillit. Ky është një raport i rëndësishëm për Europën në raport me vetveten dhe të ardhmen e zgjerimit. Nuk është thjesht një moment i rëndësishëm jashtëzakonisht shumë për ne si Shqipëri. Në këtë moment të rëndësishëm për Europën është shumë e rëndësishëm që ne të kuptojmë ekzaktësisht se për çfarë bëhet fjalë dhe të mos biem në pesimizëm. Ashtu si kundër, nuk kemi pse të jemi optimist pa arsye”, tha Rama./E.B-dritare.net