Mes dilemës rezervat kafshësh dhe njerëzish apo komb modern
Dritare.net
Nga Dritan Hila
Në vitin 1913 Gertrud von Laffert, bashkëshortja e ambasadorit gjerman në Stamboll, që shoqëronte bashkëshortin e saj në komisionin 6 palësh që përcaktonte kufijtë e Shqipërisë, shkruante për ne se “janë barbarë që është e mira të mbahen si rezervat ku turistë të vijnë me sezone që të shikojnë njerëzimin në fazat primitive dhe sesi vriten me njëri-tjetrin, kurse në sezonet ndërmjetës t’ju hiqen armët në mënyrë që të shumohen”.
Pas gati një shekulli, duke parë protestuesit që kundërshtojnë resortet, të lind dyshimi se Von Laffert nuk e ka pasur keq. Mesa duket fansave të saj iu shijon që të rrinë në gjendje primitive.
Ndryshe nga sa pretendojnë ambientalistët shqiptarë dhe ekstremistët evropianë, bregdeti shqiptar, hiq disa njolla të papërfillshme krahasuar me 400 e sa kilometra të tij, është i shkretë. Shumicën e atij Adriatikas e zënë lagunat. Nëse nuk ndërtohet në këtë vijë për hatër të disa pelikanëve e harabelave, i bie që kjo zonë mos të ketë zhvillim. Dhe duhet pasur parasysh që bregdetet ranore nuk hyjnë në top listën e të preferuarve, është sforco e madhe dhe e dyshimtë ekonomike nëse do jenë rentabël, por gjithsesi më mirë të provosh sesa të pranosh ndenjen në vend.
Tentativa e Ramës e shfaqur tek “Albanian Files” që ta urbanizojë këtë vijë, është një ambicie e cila ia vlen. Prania e arkitektëve me famë, i jep shansin të bëhet brand.
Shqipëria, ndryshe nga sa ulërasin pinjollët shqiptarë të Von Laffert, është në gjendje të mjeruar përsa i përket infrastrukturës turistike. Ka shumë pak hotele me mbi 50 dhoma dhe jashtë brandeve ndërkombëtare; nuk ka sisteme moderne të përpunimit të mbeturinave dhe personel të pakualifikuar. Për mos përmendur që nuk ka marina, të cilat janë edhe baza e një turizmi që sjell para. Ende sot turisti që vjen, nuk shpenzon më tepër sesa i kushton mikpritësve dhe shtetit shqiptar.
Kurse të pasurit shqiptarë i çojnë jahtet e tyre në Greqi ose Mal të Zi, pikërisht sepse këtu mungon infrastruktura.
Ndaj ndërtimi i resorteve dhe marinave është hapi i parë drejt modernizimit.
E veçanta e kësaj është që sponsorët e këtyre protestave janë pasardhësit e Gertudës, që duan të na shohin ende si rezervat, ku të vijnë të zbaviten, me pak fat të shikojnë si vritemi për një parking apo shikim shtrembër, ndërsa mbi kokë fluturojnë flamingot. Kuptohet që nuk shprehen aq haptas sa Gertuda por rezultati njësoj është. Nuk do ishte çudi, që nëse marrim mend e tyre, një ditë të na kërkonin të dilnim të veshur me fustanella, tirqe e brekushe.
Sa i takon kundërshtive të këtij trendi të përshkruar në “Albania Files” nuk duhet harruar që ndryshimet urbane sjellin edhe ato sociale, të cilat natyrshëm prodhojnë kundërshti. Pa harruar që ne jemi kombi që të vetmen industri që kemi është prodhimi në seri i Haxhi Qamilëve./dritare.net