
Martesa e vajzave nën moshën 18 vjeçare, reagon Bregu: Ngjarje kriminale, ja si ta ndalojmë!
Dritare.net

Majlinda Bregu ka reaguar pas lajmit në Klan TV, ku në fshatin Polis – Sheh i Librazhdit vajzat e mitura po braktisnin shkollën për tu lidhur në martesë nga prindërit në moshën 12-14 vjeçare. Bregu shkruan në Facebook, se nuk e njeh zonën, "nuk di të interpretojë Kur’anin dhe Hadithet e tij, por di se as në të drejtën islame nuk lejohen martesa pa pëlqimin e palëve". Sipas saj duhet të vihemi në alarm.
"Por nëse ajo që ndodh në Polis-Sheh nuk është rast i shkëputur siç kam frikë, në alarm duhet të vihemi të gjithë! E para: Shqipëria është një vend europian, laik, ku respektohen fetë që bashkëjetojnë me njëra- tjetrën, por e drejta e tyre nuk është mbi Kushtetuten e ligjet e vendit.
E dyta: Kodi i Familjes në Shqipëri lejon martesat në moshën 18 vjeçare.
Irani i marton vajzat 9 vjeç!
Ekuadori i marton 12 vjeç!
Andorra i marton 14 vjeç!
E treta: Fondamentalizmi dhe radikalizmi i Islamit është për tu dënuar e jo pranuar me heshtje si për të justifikuar pazotësinë e institucioneve të këtij vendi për tu marrë me problemet reale e për t’ i parë kërcënimet qe i kemi para syve si të verteta, jo si tema fjalimesh largpamëse për Gjeneratën e Re!
E katërta: Varfëria në Shqipëri, nuk është vetëm papunësi e pamundësi ekonomike. Ështe dramë pa kushte, edhe sepse ju heq të miturve të drejten e rritjes, edukimit, e daljes Zot vetes kur të jenë të rritur!
Si në çdo rast, ngjarje si kjo ku mbi ligjin sundon nga tradita e shpërfytyrur, injoranca, keqpërdorimi i fesë, politika në letra e pushtetit qendror, pazotësia e pushtetit lokal për të identifikuar jo vetëm familjet në nevojë për bukë, por fenomenet me të cilat shoqërohet varfëria, janë KRIMINALE!
Jane neglizhenca e pazotësia e pushtetit qendror dhe lokal, institucioneve të ligjit, edhe e OJF gjithashtu, që për fenomene si në Polis-Sheh flasin nga Zyrat dhe Hotelet e Tiranës!
Eshtë nanurisja nëpër zyra e zgjimi i dhunshëm vetëm në kohë fushatash, që nuk lejon të shohesh se të ndalësh rritjen e femijëve, të viktimizosh vajzat e gratë, ke thelluar radikalizmin, nuk e ke luftuar atë! Dhe që të mos dukem vetem e tronditur nga sa dëgjova: Ështe koha të ulemi e të përcaktojmë një standard të ri ligjor të varfërisë.
Të përcaktojmë siç kemi me ligj arsimin e detyruar dhe moshën 18 vjeç për martesë, edhe vijën minimale të të ardhurave të destinuara vetëm për edukim të femijëve të familjeve që jetojnë në varfëri", shkruan Bregu.

















