
Poligamia apo monogamia, cila marrëdhënie garanton rrugën drejt lumturisë? Përgjigjja do t'ju befasojë!
Dritare.net
Nga përrallat e fëmijëve, te rrëfimet kulturore dhe mësimet fetare, ne mësojmë që në moshë të vogël se ekziston vetëm një rrugë drejt lumturisë personale: Gjetja e një partneri ideal, me të cilin do të krijojmë një familje tradicionale. “Ky është qëllimi i njeriut”, dëgjojmë shpesh të thonë të moshuarit. Besimi se marrëdhëniet monogame janë përparimi i vetëm logjik i gjërave është aq i fortë, madje edhe në shoqëritë moderne, saqë i jep formë zgjedhjeve personale, politikave publike dhe madje edhe praktikave të kujdesit shëndetësor.
Por sa e vërtetë është kjo? Dhe pse studiuesit e quajnë këtë fenomen "miti i monogamisë"?
Një përmbledhje novatore e botuar në The Journal of Sex Research sfidon këtë ide të mbajtur prej kohësh. Duke analizuar të dhënat nga gati 25,000 njerëz, studiuesit nuk gjetën ndonjë ndryshim të dukshëm në kënaqësinë midis individëve në marrëdhënie monogame dhe atyre që eksplorojnë forma të tjera të bashkëjetesës".
Hulumtimi, i udhëhequr nga Joel R. Anderson i Universitetit La Trobe, është më gjithëpërfshirësi deri më sot në krahasimin e niveleve të kënaqësisë nga struktura të ndryshme marrëdhëniesh. Gjetjet janë të qarta: Pikëpamja se marrëdhëniet poligame janë të paqëndrueshme ose më pak të kënaqshme nuk është e vërtetë.
Pavarësisht shtimit të provave që mbështesin këtë pikëpamje, monogamia ende konsiderohet modeli ideal i marrëdhënieve, sidomos në shoqëritë perëndimore. Traditat kulturore dhe vlerat fetare e përforcojnë këtë besim. Shumë supozojnë se ato çojnë në stabilitet më të mirë emocional, angazhime më të forta dhe besim më të madh. Por studimi i ri i sfidon këto.
Studimi shqyrtoi sondazhet e kryera midis viteve 2007 dhe 2024, kryesisht në vendet perëndimore si SHBA-ja, Kanada dhe Australia.
Studiuesit analizuan forma të ndryshme të jomonogamisë konsensuale, duke përfshirë:
Poligamia – shumë marrëdhënie njëkohësisht.
Marrëdhënie të hapura- marrëdhënie seksuale jashtë marrëdhënies parësore.
Swinging-përvoja seksuale jashtë marrëdhënies kryesore, shpesh brenda kontekstit të ngjarjeve të organizuara.
Marrëdhënie pothuajse monogame-kryesisht marrëdhënie monogame me përjashtime të rastësishme, të rëna dakord më parë.
Individët në këto lloj marrëdhëniesh raportuan nivele të ngjashme kënaqësie në jetën e tyre romantike dhe seksuale në krahasim me ata në marrëdhënie monogame. Është interesante se disa forma të jomonogamisë dhe sidomos marrëdhëniet kuazimonogame, treguan nivele pak më të larta kënaqësie. Në mënyrë të ngjashme, njerëzit poligamë dhe swingers raportuan kënaqësi seksuale pak më të lartë.
Roli i besimit dhe komunikimit
Një nga gjetjet më befasuese ishte se njerëzit në marrëdhënie jomonogame kishin më shumë besim në marrëdhëniet e tyre sesa njerëzit monogamë. Për më tepër, rezultatet e tyre për angazhimin, intimitetin dhe pasionin ishin në të njëjtat nivele me ato të personave në marrëdhënie monogame. Kjo sfidon besimin e përbashkët se marrëdhënieve jomonogame u mungon besimi ose stabiliteti, duke i shtyrë studiuesit të argumentojnë se mbajtja e marrëdhënieve të shumta në fakt mund të forcojë marrëdhëniet, pasi kërkon komunikim, transparencë dhe inteligjencë emocionale më të madhe.
Duke pasur parasysh se rreth 5% e të rriturve sot janë të përfshirë në marrëdhënie jomonogame dhe 20% i kanë provuar ato në një moment të jetës, hulumtimi sfidon përkufizimet e ngurta që një marrëdhënie duhet të ketë sukses dhe konfirmon se jomonogamia konsensuale mund të jetë po aq përmbushëse, me kusht që struktura e marrëdhënies të përputhet me nevojat dhe vlerat individuale./K.C/dritare.net

















