Na ndiqni edhe në

Shqiptar

Lufta e Nuseve, një e treta e martesave të këtij edicioni janë me të huaj!

Lufta e Nuseve, një e treta e martesave të këtij edicioni

Intervistë me autoren e programit Lufta e Nuseve – Lorena Basha.

Nesër mbrëma fillon edicioni i 3'të i  Lufta e Nuseve. Çfarë ka të re ky edicion?

Si asnjëherë më parë kemi  pasur një gjeografi  të jashtëzakonshme të konkurrentëve, martesa  me të huaj, nuse dhe dhëndurë të bukur, me shumë shije  dhe shumë të realizuar profesionalisht.  Martesat mes shqiptarëve dhe të huajve nuk është risi e këtij edicioni, por, këtë vit kanë qenë  më të shumtë.

Kështu, Tina nga Elbasani që studion në Dallas takon atje dashurinë e jetës një inxhinier nga Meksika,  Raela nga  Shkodra që  punon në Radion e jashtme në Pekin   kurorëzohet me një inxhinier  IT nga Pakistani, Eneida nga Dibra  që punon menaxhere në rrjetin e famshëm të shitjeve online Amazone.com martohet me amerikanin e Air Force , Semi nga Pogradeci – fiziologe në Masachusets martohet me kolegun e saj nga Nepali,  Klinsmani, elbasanlliu që jeton në Londër, martohet me një bukuroshe nga Lithuania, Genti nga Saranda  martohet me Renatën, bionden hungarezo- ruse që e njohu në Bruksel. Të mendosh që nga 18 dasma sa kishte ky edicion, një e treta  janë me të huaj, kupton  një ndryshim të madh me traditën shqiptare të para pak kohëve.  Ky diversitet kulturash i bën interesante shumë  sa historitë e dashurisë aq edhe dasmat.

 Lufta e Nuseve ka qenë një ndër programet më të ndjekur të televizioneve shqiptare. Si e shpjegoni këtë?

Qysh në fillim kam qenë optimiste se njerëzit do ta pëlqenin  “Luftën e Nuseve”. Programe të tilla janë klasifikuar ndër 2-3 më të shikuarat edhe në televizionet e tjera  ku  janë transmetuar nëpër botë. Kisha bërë një kërkim paraprak që më kishte dhënë garanci. Aq më tepër këtu tek ne që i kemi dasmat , besoj, më të rëndësishme se shumë vende të botës.  Por, rezultatet e audiencës (për aq sa ato mund të jenë të besueshme) e klasifikuan Luftën e Nuseve në dy edicionet e saj të parë, si realizimin shqiptar më të shikuar të të gjitha televizioneve. Kjo ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe na ka shtyrë ta vazhdojmë. Gjithashtu, klikimet në youtube janë rekord duke shënuar rreth 210,000 klikime mesatarisht/çdo seri. Janë mbi 2 milion e 500 mijë klikime për 12 episodet e para.

 Kush janë nuset e episodit të parë që hap Luftën e Nuseve?

Çiftet e përzgjedhura për   episodin e parë të Lufta e Nuseve 3 kanë qenë një kombinim perfekt për një garë të bukur me dasma fantastike, të kuruara deri në detaje dhe me atmosfera shpërthyese. Çifti i parë janë  2 të rinj nga Tirana, vajza inxhiniere telekomunikacioni ndërsa djali menaxher në një kompani private.  Çifti i dytë janë emigrantë në Itali. Por, interesantja tek ky çift është se të dy janë biznesmenë në Piacenza. Vajza ka kompaninë e saj të Kozmetikës ndërsa djali është pronar i një picerie. Pra, është nga ajo pjesë e emigracionit që u integruan mjaft mirë dhe po bëjnë sukses. Ndërsa çifti i tretë janë një çift dentistësh nga Dibra. Janë tre çifte mjaft të bukur, të mençur dhe mendoj se është një nga episodet më të bukur të të gjitha edicioneve.

 Ky edicion vjen edhe për shikuesit kosovarë përmes Tv Dukagjinit. A e shikoni të mundur realizimin e një apo disa episodeve me dasma kosovare?

Publiku i Kosovës ka qenë një preokupim permanent për mua si autore e këtij programi. Kam tentuar edhe në dy edicionet e shkuara për të pas seri nga Kosova  por kemi hasur vështirësi.  Mendoj se edicioni i ardhshëm, në sajë edhe të bashkëpunimit të çmuar me Tv Dukagjini, do kemi një ose më shumë episode me dasma shqiptare të Kosovës.  Do jetë një kënaqësi e madhe. Duhet të theksoj publiku nga Kosova  është mjaft i interesuar për këtë program. Inbox-i i FB  të Lufta e Nuseve është i mbushur nga mesazhet e ndjekësve nga Kosova.