Na ndiqni edhe në

Editorial

Largojeni! Sepse Millosheviçi nuk mund të rikthehet me kostum ministri

Nga Dritare.net

Ministrja serbe Snežana Paunović deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Deklarata u dënua nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet e Kosovës, qe e shpallën atë persona non grata.

Fjala e saj nuk eshte thjesht skandaloze. Eshte e rrezikshme.

Kur një ministre në detyrë e qeverisë së Serbisë deklaron se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviçit, do të kishte kryer spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, ajo nuk po shpreh një mendim privat. Ajo po flet si përfaqësuese e shtetit serb.

Kjo nuk është një gafë politike. Është glorifikim i një krimi kundër njerëzimit.

Në Kosovë u vranë mijëra njerëz. Qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Familje të tëra u shkatërruan. Bota e njohu atë tragjedi dhe ndërhyri pikërisht për të ndalur një spastrim etnik.

Prandaj është e papranueshme që, 27 vjet më vonë, një ministre të shprehë keqardhje se ai spastrim nuk u krye deri në fund.

Një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian nuk mund të mbajë në qeveri njerëz që flasin me gjuhën e Millosheviçit.

Nuk mjafton një distancim diplomatik. Nuk mjaftojnë deklaratat formale.

Kjo ministre do duhej të largohej menjëherë nga detyra.

Jo sepse e kërkon Kosova, apo Shqipëria. Por sepse e kërkon minimumi moral që duhet të ketë çdo shtet demokratik.

Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e spastrimit etnik, jo mbi nostalgjinë për të.

Nëse Serbia nuk e shkarkon këtë ministre, atëherë problemi nuk është vetëm i saj, është i shtetit që e mban ende në qeveri.
Një ministre që flet për spastrim etnik nuk ka vend në një qeveri evropiane. Pikë./dritare.net