Kurti: Shqipëria dhe Kosova nuk e kanë luksin të bëjnë diplomaci me njëra-tjetrën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reagaur përmes një postimi në facebook, pas vizitës së tij në Tiranë, që është edhe vizita e parë si kryeministër i Kosovës.

Kurti, duke zbardhur një pjesë të takimit me kryeministrin Edi Rama, thotë se dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë.

Në mbyllje Kurti shprehet se: “Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë.”

Postimi i Albin Kurtit

Ishte vizita e parë si kryeministër jashtë Republikës së Kosovës, por nuk ishte politikë e jashtme. Ishte ceremoniale, por nuk ishte thjesht simbolike. Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë.

E falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm. Prej takimeve institucionale e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë, jam i sigurt se shumë shpejt do të burojë një intensitet i ri bashkëpunimi ekonomik e arsimor, prandaj sot më shoqëruan në takim ministri i Financave, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami. Këto janë fusha ku afrimi i Shqipërisë me Kosovën nuk toleron asnjë vonesë e pengesë.

LEXO DHE :  Sot, 12 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

U dakorduam të krijojmë komisionin ndërshtetëror i cili i analizon ecurinë e 77 marrëveshjeve mes të dy vendeve tona dhe në fund të marsit, në Shkodër, kur të takohen dy Qeveritë tona të trajtojmë ecurinë e punës së deritashme e të përcaktojmë punën e re që duhet të bëjmë.

Takime të përzemërta e vëllazërore patëm edhe me presidentin, Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, të cilët më përcollën urime për detyrën e re, e unë u shpreha nevojën për ndihmë e mbështetje. Shqipëria është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, e Kosova është plot entuziazëm për një bashkëpunim të tillë. Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri.

Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri. Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë./ I.M-Dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.