
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtarët gjermanë panë biplanë të çuditshëm që mbërrinin mbi kokat e tyre, të quajtur "aeroplanë misri". Pavarësisht moshës së vjetër të aeroplanëve dhe shpejtësisë së ngadaltë, ata ishin në gjendje të bombardonin objektiva të rëndësishëm me ngarkesa rreth 200 kg eksploziv.
Një thashethem u përhap shpejt në mesin e ushtrisë gjermane: "Sovjetikët po u besojnë avionët pilotëve femra. Është çmenduri."
Kjo habi e tyre vinte edhe per shkak se në psikologjinë naziste, femra ishte e destinuar për punët e shtëpisë dhe lindjen e fëmijëve. Kurse pjesëmarrja në luftë apo qiftë edhe në detyra prapavije shikohej si një përçudnim i saj.
Këto gra u bënë të njohura si "Shtrigat e Natës".
E gjitha filloi kur shumë punëtore dhe studente ruse i shkruan Marina Raskovas, një aviatore e famshme, duke i kërkuar të luftonin. Raskova ia çoi kërkesën Stalinit, i cili përfundimisht dha dritën jeshile.
Në verën e vitit 1941, u formuan tre regjimente grash. Njëri me avionë luftarakë Yak-1, tjetri me bombardues Petlyakov Pe-2 dhe i treti, më i famshmi, me biplanë Polikarpov Po-2 për misione nate.
Majorja Evdokiya Bershanskaya ishte përgjegjëse për operacionet. Ato aeroplanë të vegjël, shpesh të destinuar për bujqësinë, në fakt përdoreshin për misione.
"Shtrigat e Natës" fluturonin natën me aeroplanë që si strukturë ishin prej druri dhe bezeje. Ato ishin të ngadalta, por shumë të manovrueshme, dhe shpejtësia e tyre e ngadaltë ishte një avantazh: pilotët gjermanë nuk mund t'i dallonin lehtë edhe për shkak të fluturimit në lartësi të ulëta.
Gjatë netëve të ftohta të dimrit, këto gra mbetën gjithmonë të gatshme për t'u ngritur në misione. Tridhjetë e një humbën jetën, por shumë prej tyre morën vlerësime të rëndësishme ushtarake. Gjithsej 23 prej tyre u vlerësuan me Yllin e Artë të Heroit.
Deri në fund të luftës, regjimenti kishte fluturuar në më shumë se 23,000 misione dhe kishte hedhur 3,000 ton eksplozivë. Disa prej piloteve fluturuan deri në një mijë herë. Edhe pse fluturonin me "aeroplanë misri", prania e tyre ndihej./dritare.net