
Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët, ja disa nga simbolet e festës!
Dritare.net
Ndërsa flasim për Pashkët Ortodokse, nuk mund të mos kujtojmë vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë, dhe mishin e qengjit. Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj.
Ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Pjesë tjetër e traditës së Pashkës Ortodokse është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve. Zakonisht në traditën ortodokse vezët ngjyrosen ditën e enjte para Pashkëve dhe konsumohen ditën e diel ose në ditët në vazhdim.
Ja cilat janë simbolet e Pashkës Ortodokse!
Kryqi
Është simbol i kryqëzimit, i kundërt me atë të Ringjalljes. Në Këshillin e Nikesë, Konstandini dekretoi që kryqi do të ishte simboli zyrtar kristian dhe ortodoks.
Qengji
Një prej simboleve më të zakonshme, sidomos i përdorur gjatë Pashkëve Ortodokse, është qengji. Origjina e përdorimit të tij në këtë festë është e lidhur drejtpërdrejtë me çlirimin e hebrenjve. Në kohët e lashta, hebrenjtë flijonin një qengj gjatë festave. Ata e lidhin festën e gëzueshme të Pashkës me çlirimin e hebrenjve nga skllavëria në Egjipt, me shpëtimin nga vdekja, e përfaqësuar me Ringjalljen. Popullariteti i qengjit, si ushqim kryesor i Pashkës Katolike dhe Ortodokse, është i lidhur me rëndësinë e tij si simbol.
Qirinjtë e Pashkës
Ndezja e qirinjve të Pashkës Ortodokse është traditë e njohur nga kisha katolike-romane, ortodokse dhe anglikane. I vendosur në një cep pranë altarit, qiriri ndizet të shtunën në mbrëmje, gjatë festimeve në vigjilje të Pashkës dhe nga flaka e tij ndizen të gjithë qirinjtë e tjerë të kishës. Rituali i kremtimit të zjarrit e ka zanafillën në shekullin e katërt. Qiriri i Pashkës simbolizon Krishtin ndërsa flaka, Ringjalljen e tij si “drita e botës”. /E.B-dritare.net

















