
Nga Roland Qafoku
Ishte kënaqësi sipërore sot të takoja dhe bisedoja gjerë e gjatë me nje nga emblemat e kinematografisë shqiptare, Reshat Arbanën. Sapo u futëm në një lokal, ndodhi ajo që nuk e kisha parë kurrë më parë. Të gjithë klientët e lokalit u çuan në këmbë dhe e përshëndetën.
Ishte një respekt dhe një vlerësim masiv si për të treguar se arti, dhe askush tjetër, është madhështia e asaj që do populli. Isa Boletini te “Nëntori i dytë”; Bimbashi turk te Liri a vdekje”; Sami Ameni te “Fije që priten”; Islami te “Duel i heshtur”; Mësuesi te “Tinguj lufte”; Ahmeti te “Dora e Ngrohtë”; kryetari i Këshillit të fshatit te “Kur hapen dyert e jetës”; babai te “Binarët”, e të tjerë, janë të panumërta rolet që ai ka luajtur në karrierën e vet.
Galeria e profileve që prodhoi Reshat Arbana është e tillë që ai ka krijuar një staturë aq të lartë në kinematografi saqë steka që ai arriti nuk ka patur të krahasuar dhe zor se mund të arrihet një ditë. Por, aktrimi dhe recitimi i disa poezive me autor Ali Asllanin veçanërisht “Hakërrimi” si dhe e Gjergj Fishtës me “Lahuta e Malcisë”, ia kanë shtuar edhe më shumë dimensionin si artist.
Këto janë edhe arsyet përse kur shfaqet Reshat Arbana njerëzit shprehin respekt dhe vlerësim. Biseduam gjerë e gjatë për disa tema që nga zbulimi si aktor nga një regjisore ruse, te rolet emblematike, e deri te recitimet e Ali Asllanit që e ka njohur personalisht dhe të Gjergj Fishtës që e kishte idhull. Ka edhe një detaj tjetër. Ndonëse është 24 karat “tirons”, atë e thërrasin Baca Reshat. Është një titull popullor që ia kanë vendosur shqiptarët e Kosovës.
Roli i tij i Isa Boletinit është aq i arrirë saqë shqiptarët këtej dhe andej kufirit e mbajnë për imazh pikërisht atë që Reshat Arbana krijoi në atë film.
Prej kësaj, por edhe për “slengun” e tij geg në disa role dhe recitime, tashmë e thërrasin në Tiranë dhe kudo nëpër Shqipëri dhe kudo që ka shqiptarë “Baca Reshat”. Shëndet dhe jetë të kesh Baca Reshat!/dritare.net

















