Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kurbin/ Ja e vërteta e videos barbare që tronditi rrjetet sociale!

Kurbin/ Ja e vërteta e videos barbare që tronditi rrjetet sociale!
Një video e publikuar në rrjetet sociale ka bërë xhiron në media, por duke i bashkuar një tjetër histori që nuk kishte të bënte me ngjarjen në fjalë.

U raportua për një ngjarje të ndodhur në Kurbin, ku Policia madje kishte shpallur në kërkim dhe dy autorët, por në fakt e vërteta nuk është kjo. Ngjarja e cila tregohet në video në fakt ka ndodhur më 16 qershor në Shëngjin, ku Policia ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar.

Bëhet fjalë për një konflikt të lidhur për shkak të pagesës së ashensorit, që përfundon me plagosjen e dy personave me armë zjarri. Policia bëri të ditur se të plagosurit janë Mimoza Aliaj, 49 vjeçe, dhe Gentian Malshi, 38 vjeç.

Dy të plagosurit janë dërguar me urgjence në Spitalin e Lezhës nga ku mësohet se pasi kanë marrë ndihmën e parë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gentian Malshi, 38 vjeç (që në video shihet i shtrirë përtokë) është konfliktuar me Gëzim Aliajn, 52 vjeç.

Aliaj është përgjegjës i pallatit ku 38-­vjeçari kishte blerë hyrje. Por, ai e mbante apartamentin të mbyllur, pasi aktualisht jetonte në fshatin Pllanë të Lezhës dhe ende nuk ishte zhvendosur në banesën e re.

Duke menduar se detyrimet nisnin vetëm në momentin kur të jetosh në pallat, 38­-vjeçari refuzonte të paguante paratë e ashensorit. Për këtë shkak, 52-­vjeçari Gëzim Aliaj ka debatuar me të dhe duke i bërë të qartë se të gjithë banorët e pallatit duhej të paguanin për mirëmbajtjen e ashensorit, pasi edhe banorët sezonalë e përdorin atë në momentin që zhvendosen në apartamentet e blera në muajt e verës.

Por i riu është justifikuar me faktin se nuk kishte pse të paguante përderisa nuk jetonte në këtë pallat. Më kot janë përpjekur të sqarohen pasi situata ka degraduar fillimisht me sherr mes tyre, e më pas deri në përplasje fizike.

Më pas 38-­vjeçari ka marrë një armë gjahu çifte që e kishte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të Gëzim Aliajt. Ky i fundit ka mundur që të shpëtojë, por nga të shtënat ka mbetur e plagosur gruaja e tij, e cila ka ndërhyrë për të neutralizuar agresorin.

Pasi ka parë gruan e plagosur, Gëzim Aliaj i është kundërpërgjigjur Malshit. Ai ka marrë një armë çifte që e mbante në banesë dhe ka qëlluar në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur.

Policia ka ndërhyrë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes. Më tej, Policia ndërhyri duke arrestuar 38­-vjeçarin dhe sekuestruar një armë shotgan dhe ndaj tij rëndon akuza “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese» mbetur në tentative.