Na ndiqni edhe në

Editorial

Kur shahet Zeqineja në Tiranë, por të çan prifti në Korçë

Nga Dritan Hila

Ka dy ditë që namuzqarët shqiptarë po merren me pamjen e re të deputetes së Fierit, një çështje që as e ngroh e as e ftoh këtë vend.

Ndërkohë mitropoliti i Korçës Anastas shkon dhe bekon fillimin e shkollës në dy të tilla, Omeros (varianti i menderosur i emrit Homer) dhe Platon (këtij nuk ia kanë ndryshuar emrin).

Këto janë shkolla private të financuara nga shteti grek. Nuk do kishte asgjë të keqe që të financoheshin nga Greqia, por problemi është që asocimi i emrit helen Homer me atë të greqizuar Omiros (helenët nuk e kishin atë s-në nga pas), synimi për të hapur këto shkolla në vende të pretenduara nga ekstremistët grekë si Vorio Epir megjithëse nuk ka këmbë greku dhe së fundi vajtja e një peshkopi që bekon fillimin e vitit të ri shkollor, lënë erë të keqe të një uniteti politiko-fetar për ekspansion. Çfarë pune ka një prift që të vejë në shkollë e ta bekojë ndërkohë që aty studiojnë fëmijë dhe supozohet që është laike? Kur një shkollë është e depolitizuar, natyrisht që është edhe afetare ku derisa nuk lejohen partitë, imagjino fetë që janë akoma më agresive, sidomos në një vend ku përplasen katër besime.

Një prift mund të bekojë fillimin e shkollës që pregatit priftërinj por jo një shkollë që në princip është e barazlarguar nga besimet fetare. Ca më shumë që Korça është edhe një fushëbetejë për asimilimin e elementit vllah.

Po sikur një ditë hoxhallarët të shkojnë në dyert e shkollave dhe të bekojnë fillimin e saj? Dhe ju takon më shumë se priftërinjve ortodoksë ku popullsia e besimit ortodoks sipas censusit të fundit është në minorancë krahasuar me të tjerat. Po sikur myftinitë të kërkojnë vendosjen në mure të sureve të Kuranit, pasi një direktivë e BE nuk e ndalon vendosjen e simboleve fetare nëse këtë e kërkojnë një shumicë? E sikur një ditë të bukur hoxhallarët të kërkojnë që të shkollojnë në shkolla më vete miletin (dhe këtu do kemi një kthim 120 vite më pas)? Dhe mos u çudisni, pasi reagimet fillojnë për reaksion apo si kërkesë për identitet dhe pastaj përfundon si shqiptarët e Maqedonisë që më shumë e ndjejnë veten myslimanë se shqiptarë.

Shkolla dhe gjuha janë të vetmet që mbajnë të bashkuar një komb modern dhe që krijojnë unitetin psiqik të tij. Është e vërtetë që në këtë moment shteti shqiptar është nën sulm nga të gjitha anët dhe me këtë rast edhe sillogjet e Vorio Epirit mendojnë të fusin lugën në këtë përshesh. Është e dukshme që një lukuni shqipfolësish me dhe pa veladon, me OJF apo individualisht në Tiranë apo Korçë e ku të gjejnë, janë lëshuar të marrin maksimalen nga kjo situatë. Por shteti duhet të ketë kujdes në shkolla pasi nëse me gjuhën standarte nuk ia dolën ta shkatërrojnë, kësaj here po i hyjnë me themele që t’i shkatërrojnë shkollën, e nga kjo vjen shkatërrimi i identitetit dhe pastaj nuk na mbetet vetëm asimilimi sipas feve në grekë, turq e serbë./dritare.net