Kur mbarojnë fjalët, nis muzika! 20 vjet të Festivalit Operistik “Marie Kraja”

Nga Arta MARKU

Nëse doni të njihni një popull, dëgjoni muzikën e tij!” Kështu thoshte Platoni. E nëse do t’ia perifrazonim shprehjen grekut të lashtë, pa ia ndryshuar kushedi çë kuptimin, do të thonim: “Nëse doni të njihni një vend, dëgjoni festivalet e tij të muzikës”.

Padyshim, Tirana nuk është Parisi me operat e tij të famshme, Nju Jorku me Metropolitan Opera, Milanoja me La Scalën, Londra me Royal Opera House… E megjithatë nuk është aspak trill mendimi i cytur prej Platonit se mund të njihet nëpërmjet një festivali operistik. Ekzistenca e një festivali të tillë thotë shumë për Tiranën dhe Shqipërinë. E kam fjalën për “Marie Krajën”.

***

Pak gjasa ka që emri Marie Kraja të mos provokojë te të gjithë, shijen e muzikës. Tingëllimi i brishtë i zërit të këngëtares së dikurshme të nxjerr nga plasat e kujtesës shprehjen e Niçes, që thotë: “Pa muzikën, jeta do të ishte një gabim”. Njërën ose tjetrën, ose të dyja duhet t’i ketë menduar Zana Çela  këtu e 20 vjet të shkuara, kur vendosi ta pagëzonte me emrin e kësaj artisteje simbol, festivalin e saj të vokalit operistik.

Por, pa hyrë në hollësi për zanafillën, për emërtimin apo mënyrën e organizimit, pa u marrë as me rrugëtimin apo kapërcimin gjithnjë e të më shumë shkallëve të mëtejshme të kësaj ngjarjeje muzikore, “Marie Kraja”, tashmë një konkurs ndërkombëtar, është padyshim festivali që kumton për vendin e vet, për qytetin me të cilin identifikohet, Tiranën… Kumton padyshim, me fjalë të qarta, duke mos i kursyer vlerësimet për qytetin, për të cilin EDHE MUZIKA KLASIKE EKZISTON…

***

Nuk po rrëfej një histori shumë të largët, e aq më pak një traditë të trashëguar duke folur për “Marie Krajën”.

Ka ndodhur vetëm 20 vjet prej këndej përvijimi i këtij festivali, i cili qysh në gjenezë i kishte shenjat e dinjitetit dhe epërsisë. Për hir të së vërtetës, në vitin 1999, kur për herë të parë u artikulua shprehja “festivali i vokalit operistik” nga Zana Çela tek e prezantoi “Marie Krajën” në skenë, pretendimi ishte, në mos modest, jo i atyre përmasave që do të merrte shumë shpejt. Atë herë të parë u zhvillua një festival kombëtar.

Jo se shija e të dëgjuarit të vokaleve të Mariana Lekës (fituesja e atij viti) Oriana Kurteshit, Sonila Baboçit, Shpresa Bekës dhe të tjerëve pjesëmarrës, ishte minore. Përkundrazi, ishin pikërisht zërat e tyre që i ngrohën ato mbrëmje të akullta të janarit tipik të Tiranës, në sallën ku i ftohti të hynte në palcë, duke e bërë publikun ta shijonte muzikën (pavarësisht se asokohe muzika, aq më tepër ajo klasike, ngjante si luks) krejt ashtu siç e shijonte Kundera (s’ka gjë se shkrimtar) që e konsideron muzikën si një pompë që fryn shpirtin

Në 20 vjet rrugë, me pengesa të pafundme dhe pamundësi, festivali “Marie Kraja” jo vetëm mbijetoi. Kish për të qenë e natyrshme, në kushtet e një Shqipërie shpërfillëse ndaj kulturës, që “Marie Kraja” thjesht të mbijetonte.

LEXO DHE :  Sherr në Shkozet, goditen punonjësit e policisë

Por, pati më shumë: festivali u rrit, shëndetshëm madje, duke hyrë me dinjitet dhe me të drejta të barabarta në radhën e dhjetëra festivaleve simotra në të gjithë Europën. Konkurrentët nisën të “vraponin” nga teatrot e operave të të gjithë kontinenteve. Ishin zëra të fuqishëm. Por edhe juria që do t’i gjykonte, ishte e përbërë nga emra të spikatur. Në këtë kuptim, ka vlerën e vet përmendja e emrit të Inva Mulës. Por lista është e gjatë: Drejtori i Opera Europa, Nicholas Payne, drejtori i Përgjithshëm i Operas Shtetërore të Vjenës Domenique Meyer,  drejtori artistik i “La Scala”, Luca Targetti, drejtori i përgjithshëm i Operas së Barcelonës Johan Mautaboch, drejtori i përgjithshëm i Operas së Torontos Philip Boswell, drejtori i përgjithshëm i Operas së Çikagos-Bryan Dicky… e jo pak të tjerë emra të mëdhenj, kanë përbërë juritë ndër vite, duke e konsideruar, me praninë e tyre,  si partnere “Marie Krajën” shqiptare.

***

Nëse i rikthehem Platonit, duhet të them se njohja (identifikimi) nëpërmjet muzikës, e Tiranës, i përket të sotmes. Sepse më parë, ishte ndryshe, krejt e kundërta. Nga fjalët e një interviste të dikurshme të Zana Çelës, pas emrit të së cilës qëndron festivali “Marie Kraja” për fillesat,  vizatohet një imazh, aspak miklues. Një imazh i zymtë, gri. Një sallë e akullt (jo vetëm pse ishte dimër), mbi skenën e të cilës që ishte rregulluar me perde tyli, interpretonin disa këngëtarë aspak të kuruar. Por margaritari shkëlqen sidoqoftë, edhe në mes të baltës. Kësisoj edhe zërat e këngëtarëve të asaj kohe, shoqëruar nga duartrokitje duarsh të mardhura. Sa për Zana Çelën, ajo vendosi të bënte ç’mundej për t’i dhënë shkëlqimin e merituar vokalit njerëzor që shumëkush e konsideron “instrumentin” muzikor më të mrekullueshëm, prej vetë Zotit të krijuar, prandaj hyjnor. Dhe i hyri punës duke e parë muzikën klasike  me adhurimin e Boçelit për të cilin “ka muzikë klasike aq të bukur sa bëhet popullore…

Përfundimisht, pikërisht popullore e bëri muzikën klasike “Marie Kraja” teksa mblodhi nga operat e gjata copëzat më të shkëlqyera, ariet-margaritarë që do të bënin dritë të feksur nga skena duke mbajtur të gozhduar publikun. Duke ia ngrohur shpirtin.

Tashmë nuk ka dyshime: “Marie Kraja” është muzika nëpërmjet të cilës mund të njihet Tirana. Festivali që iu shndërrua në simbol, iu bë shenjë dalluese qytetit që e lindi… qytetit, që pikërisht këtë fundjavë ka kohën e muzikës.

Këtë fundjavë, në Tiranë pra, “fuqinë do ta ketë në dorë” muzika klasike…

Nëse do ta njohësh një vend, dëgjoja muzikën! Për më tepër: “Kur fjalët mbarojnë, fillon muzika”, siç thoshte Hainrih Hajne, që do të thotë, “e përkthyer” në shqip: fillon Festivali Operistik “Marie Kraja”./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.