Kujdes, pamje të rënda/ Ju tregoj muzeun më të frikshëm të Çekisë!

Nga Fjorda Llukmani

E bukura e të jetuarit në Vjenë, është që në pak orë me makinë mund të vizitosh shtete të tjera vërdallë. Një fundjavë zgjodhëm të shkonim në Brno, Republika Çeke. S’ma priste mendja që atje do të vizitoja muzeun më të çuditshëm që kam parë ndonjëherë.

Kisha dëgjuar për Brno nga miq të përbashkët që shkonin për studime me Erasmus plus. Njihet si qytet studentësh pasi është dhe lirë në krahasim me Pragën apo të tjera. Me makinë për 3 orë maksimumi je në Brno.

Kur e pashë si fillim m’u duk fiks si Vjena, por në miniaturë. Sigurisht jo aq standard e klas austriak ama diçka e përafërt.

Trami që ecën në mes, ndërtesa ngjitur në të njëjtën lartësi, por me ngjyra të ndryshme. Kisha pothuajse kudo, parqe, universitete. Nuk diskutohet skulptura ku spikaste një kalorës me kalë.

Brno është qytet i vogël e shëtit në këmbë me dëshirë. U ngjitëm lart në kodër ku gjendej kalaja Špilberk që daton që në shekullin e 13.

Thuhej që dikur përdorej si burg dhe në kohën e nazizmit. Gjatë kësaj periudhe kur merrnin të burgosur për të çuar në kampe të ndryshme përqendrimi, gjatë rrugës i ndalonin në burgun e kalasë.

Në një nga skajet ku mund të shikoje gjithë qytetin, mbi kokë shoh flamurin austriak. Pyes shokët që kisha me vete e më thonë: “Ka qenë pikë strategjike në kohën e perandorisë Austro-Hungareze, por ushtarët çekë arritën ta fitonin kalanë gjatë luftërave. Megjithatë dhe sot e kësaj dite e mbajnë flamurin në shenjë respekti.”

Në fakt Brno është qyteti më i afërt pranë kufirit të Austrisë me Çekinë.

Zbresim për të ngrënë diçka dhe si për habi pronari i lokalit ku po hanim picë ishte shqiptar. Madje edhe kamerieri na e mori porosinë në shqip. Disa metra më tutje në një dyqan, prapë na foli dikush në gjuhën tonë. Ne jemi kudo, përfundimisht.

Ndër pikat më interesante që përmendeshin në Trip Advisor, pamë foto të disa kafkave të ekspozuara. Dukej pak e frikshme, por e morëm mundimin të shkonim.

Me thënë të drejtën s’kërkuam detaje të tjera në internet për ta ditur për çfarë gjendeshin aty e qysh tek. U nisëm për ta lënë surprizë.

Muzeu gjendej pranë një kishe, më saktë nëntokë. E gjen vetëm duke parë tabelat. Futemi me shkallë poshtë e hapim derën e hekurit.

LEXO DHE :  Lulzim Basha: Për çdo gjë që nuk shkon në këtë vend, fajin e ka Rama

Të gjithë shikonim njëri-tjetrin të pasigurt çfarë na priste. Kur na përshëndet dikush, e na kërkon që të presim biletat. Që në hyrje fillonin ekspozimet e kockave ose sendeve të ndryshme.

Gjithë kuriozitet e pyesim vajzën:

“Shpresojmë që kjo mos të jetë e frikshme ëëë??! Por çfarë është konkretisht, si i keni mbledhur kaq shumë kocka këtu?”

Na dha një broshurë për ta lexuar, e filloi të na shpjegonte. “Këtu jemi nën varrezat e vjetra të kishës Shën James. Dikur në këtë tunel janë djegur trupat e personave pasi vdisnin. Nëse s’kishe mundësi për të patur varrin tënd, përfundoje te varrezat e qytetit ku ishin të gjithë në një vend. Ose kur s’postonin varreza të tjera, i sillnin te ky vend. Ne e kemi zbuluar vonë në vitet 2001. Ka patur gjithmonë një derë midis kishës dhe varrezave poshtë, por dikush e mbylli që mos të merrej vesh çfarë ishte poshtë.”

Ajo fliste neve na shkonte nga shtatë. “Duke qenë se s’kishin ç’të bënin me kockat që gjetën, u vendos që për nder të tyre të ekspozoheshin në këtë mënyrë. Kështu dhe ata kanë të drejtën të kenë një varr, megjithëse datojnë që prej viteve 1750.” Pasi na siguroi se s’do të dilte askush të na trembte, filluam vizitën.

Tunelet ishin të veshura me tulla dhe në to ekspozoheshin kockat e gjendura. Biles edhe disa sende personale si unaza, varëse etj. S’dija ç’të mendoja më parë. Le që vrisja mendjen kush kanë qenë ata persona që kanë marrë përsipër të sistemojnë gjëra të tilla. Më vonë vajza më tha që ishte e vështirë të gjendeshin. Ata që punuan aty ishin me origjinë nga Evropa Lindore, si Polonia e Ukraina. Gjoja sipas saj njerëzit andej e kanë zemrën më të fortë se të tjerët.

Për herë të parë pashë një skelet njeriu prej vërteti. Ndërkohë që të gjitha muret rreth e përqark kishin kocka këmbësh e kafka plot. Shumë interesante dhe e frikshme në të njëjtën kohë. Muzeu vizitohej për 10 minuta sepse s’ta mban zemra të qëndrosh më gjatë. Kur dolëm jashtë na kapën mendimet e jetës. Madje një prej shokëve të mi u bë pishman që erdhi.

Në mendime e sipër për ta ngushëlluar i them: “Hajde more ti, zëre se pe veten tënde pas vdekjes. Të gjithë ashtu do të përfundojmë një ditë.”/dritare.net

 

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.