Kriza e naftës, Uashingtoni presion Europës: Lëshoni rezervat tuaja!
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mund t'u kërkojë vendeve europiane të lëshojnë një pjesë të rezervave të tyre të naftës (dizel), ndërsa administrata e tij po shqyrton ndalimin e eksportit të këtij karburanti, në mes të një mungese globale.
"Po e mendojmë shumë seriozisht", tha Trump gjatë fundjavës për mundësinë e ndalimit të eksporteve.
Deklarata e tij erdhi pas thirrjes së Sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, i cili u kërkoi partnerëve europianë të vënë menjëherë në dispozicion rezervat. Sipas tij, fermerët, kamionistët dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë vetëm barrën e çmimeve që po rriten me shpejtësi.
SHBA është një nga furnizuesit kryesorë të naftës në botë, me eksporte mes 1.2 dhe 1.5 milionë fuçive në ditë. Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i tillë do të rriste edhe më shumë çmimet në vendet e tjera. Kryeekonomisti i Argus Media, David Fyfe, vlerëson se ndërprerja e furnizimit amerikan ka gjasa të shkaktojë një shpërthim të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çështja ka edhe një dimension politik: çmimet e karburantit janë ndër shqetësimet kryesore të votuesve amerikanë, vetëm pak javë para zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, ku do të vendoset kontrolli i Kongresit. Trump argumenton se mbajtja e naftës brenda vendit do të ulte çmimet në pompa për shoferët dhe bizneset amerikane.
Në Europë, reagimet nuk kanë munguar. Britania e Madhe zhvilloi të enjten bisedime me partnerët europianë për një përgjigje të koordinuar, ndërsa një zëdhënës i Komisionit Europian bëri të ditur se po zhvillohen takime të shumta, përfshirë kontakte të nivelit të lartë me administratën amerikane. Sipas BBC, në Europë ka ende rezerva të mbetura nga një lëshim i koordinuar i stoqeve strategjike që u bë më herët këtë vit.
Presionin mbi tregun e shton edhe lajmi se rafineritë kineze kanë pezulluar eksportet e tetorit për disa produkte karburanti, pasi Pekini po i jep përparësi furnizimit të brendshëm. Rusia, një tjetër furnizues i madh, ka gjithashtu në fuqi një ndalim eksporti.
Çmimet e karburanteve në botë janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Iran në shkurt. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë, ka rritur kostot e të gjitha produkteve të nxjerra nga nafta.
Në Britani, nafta ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me një çmim mesatar prej rreth 199.8 pensësh për litër, nga 142.4 që ishte më parë. Nafta është më e vështirë për t'u rafinuar se benzina dhe, duke qenë se përdoret gjerësisht në transport dhe bujqësi, kërkesa për të është shumë e vështirë të ulet./ BBC