
Konferenca e Donatorëve, Rama takim me kryeministrin kanadez: Duam t’i forcojmë marrëdhëniet!
Dritare.net

Trudeau tha se Kanadaja është e angazhuar të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve dhe se bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë.
"Kënaqësi e vërtetë të ulem sërish me mikun tim, Edi Rama nga Shqipëria. Më jep mundësinë së pari, të shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia për tërmetin e tmerrshëm për të cilin folëm kur u takuam në NATO. Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë edhe në Konferencën e Rindërtimit, në Shkurt. Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s. Shqiptarët po kryejnë shërbimin përkrah Kanadasë në Letoni për mision “Enhanced Forëard Presence” dhe është kënaqësi të vazhdojmë të shkëmbejmë dhe të kemi një bashkëpunim kaq të mirë me ju ndërsa ecim përpara", tha kryeministri kanadez.
Nga ana tjetër, Rama shprehu mirënjohje ndaj homologut të tij duke thënë se është kryeministër i shumë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kanada.
Rama më tej tha se marrëdhënia Kanada-Shqipëri duhet të jetë më e fortë.
"Jam shumë mirënjohës dhe e vlerësoj shumë takimin me ju në çdo rast. Ju e dini që keni një ndikim shumë të madh te shumë nga homologët tuaj. Në të njëjtën kohë e dini që jeni edhe Kryeministër i shumë shqiptarëve që jetojnë në Kanada, punojnë shumë dhe kontribuojnë për vendin tuaj, por gjithashtu marrin shumë njohuri dhe të mira nga vendi juaj për familjet e tyre. Do të doja t’ju shpreh edhe mirënjohjen që treguat ndjeshmëri për ato që ndodhën kohët e fundit. Mirënjohës që do të jeni i pranishëm në konferencë. Duam t’i forcojmë marrëdhëniet. E di që jemi larg, por në një farë mënyre ndihemi shumë të afërt me vendin tuaj dhe të gjithë ju. Prandaj faleminderit për kohën dhe faleminderit që u ulët nga ana e flamurit shqiptar", tha Rama./E.B-dritare.net

















