
Nga Dritan Hila
Tre vjet më parë, Kanye West dhe Bianca Censori ishin në Venecia. Kanye ul pantallonat ndërsa Bianca del me një fustan transparent, duke bërë që shtypi italian të merrej një javë me çiftin. Natyrisht që po të ishte dikush tjetër do kishte punë thjesht me policinë bashkiake. Por Kanye është brand edhe kur bën skandale. Madje është një ndër mënyrat e public relation. Kështu është ndarë kjo botë, dikush është i famshëm dhe bën lajm dhe të tjerët duan të bëjnë lajm duke sulmuar të famshmit. P.sh zagarët e rrjetit shqiptar që sulmojnë personazhet publike, diku me shpresën që të bien në sy e ca më mirë nëse personazhi publik u kthehet.
West mund t’i ketë të gjitha të zezat e kësaj bote, por është personazh i momentit. Operacioni i marketingut i qeverisë shqiptare nuk ka të sharë. Tjetër punë që gjithfarë kritiku do të bjerë në sy pse u paguan 4 milionë euro që West të vijë në Shqipëri si pjesë e turit të tij botëror. Nuk mund të mungonin këtu flamingoxhinjtë që një herë janë antisemitë dhe me West që është i tillë paparitmas u bënë prosemitë. Thjesht pula pa kokë.
Por le të kthehemi tek West dhe operacioni me të. Personalisht nuk e kuptoj muzikën e tij. Jam brez tjetër. Por duke kërkuar në rrjet më goditi një prej këngëve të tij “Silver Night”. Lere pastaj skenografia. Brezi që e pëlqen, është normale që do pëlqejë dhe imitojë qoftë edhe duke ardhur në Shqipëri. Dhe kjo do të jetë një ndihmë për besueshmërinë e vendit.
Këtë vit protestat e goditën fuqishëm turizmin. Vetë ministri pranon një rënie. Në vitet e shkuara antipropaganda ishte nga personazhe shqiptare që tregonin si hahej bukë e shalqi në skërkat e plazheve turke dhe greke, kurse në Shqipëri të kërkonin para, të ndihmuar edhe nga ca protesta me molotov të Saliut. Por kjo nuk merrte jehonë ndërkombëtare. Edhe nëse merrnin molotovët e Berishës, mbante një ditë. Kurse sivjet nuk mbeti media pa shkruar për protestat në Shqipëri. Edhe sot, grumbullimi i 100 gjynahqarëve, paraqitet me fotoshop si mitingje në Tien An Men.
Por a ia vlen të paguhet West 4 milionë dollarë? Ia vlen çdo cent. Dikur, para 30 vitesh, për të hyrë në tregun botëror të turizmit, Greqia financonte telenovelat venezuelase, me përhapje botërore për kohën, që ngjarjet t’i zhvillonin në Greqi. Ngjashëm ka punuar Turqia me vonë. Ca më herët Tito u kishte falur Sofia Loren apo Silvestër Stalones shtëpi në Sveti Stefan që të promovonte turizmin jugosllav. Vende të vogla si yni nuk mund të hyjnë në tregun botëror me asetet vendase të kulturës apo artit. Duhet dikush të ta japë të shtyrën dhe duhen personazhe të spikatura botërore, që ky vend përveç resorteve të futet në turizmin elitar. Pastaj kur të duket fshati yt kërthiza e botës, normale që 4 milionë për Kanye West të duken shumë. /dritare.net