Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja çfarë do të ndodhë sot në Kongresin e PS!

Ja çfarë do të ndodhë sot në Kongresin e PS!
Socialistët mbajnë sot Kongresin e tyre zgjedhor. Rreth 1500 delegatë pritet të zgjedhin 175 anë-tarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, forumit më të lartë pas Kongresit, por të përcaktojnë edhe qëndrimin ndaj debatit për zgjedhjen ose jo të kryetarit të partisë.

Forumi i lartë i PS-së do të nisë punimet rreth orës 10:00 të paradites dhe mund të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës. Fillimisht do të jetë kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama që do të mbajë fjalën përshëndetëse, pas verifikimit të mandateve të të gjithë delegatëve.

Gramoz Ruçi do të flasë për raportin e anë-tarësimeve dhe zgjedhjet në PS e më pas pritet të ketë një raport të Komisionit të Garancive Statutore. Kongresin pritet ta përshëndesin, veç aleatëve edhe figura të së majtës evropiane. Kryeministri Italian, Mateo Renzi, ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe kryetari i grupit social-demokrat në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, të cilët do të jenë aty përmes videomesazhit.

Në Kongres do të jetë i pranishëm lideri i së majtës europiane, Gianni Pitella si dhe përfaqësues të partive politike shqiptare nga Kosova e Maqedonia. Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti ishte që dje, i pranishëm në pritjen që Rama organizoi për delegatët dhe po kështu një tjetër figurë e së majtës Italiane, Massimo D’Alema.

DEBATET

Ajo që pritet të shkaktojë debate është pika e ndryshimeve në statutin e PS-së, ku tashmë është bërë i njohur neni i ri, sipas modelit laburist që kryetari i partisë rikonfirmohet kur partia fiton zgjedhjet dhe mund të zgjidhet vetëm nëse 10% e delegatëve e kërkon këtë.

Një pjesë e deputetëve, si Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Arta Dade, etj kanë këkruar që të ketë zgjedhje për postin e kryetarit të partisë. Madje këtë Blushi pritet ta propozojë edhe në fjalën e tij, ndërkohë që kryeministri Rama pritet të lançojë propozimin e tij, për t’ju drejtuar anëtarësisë së PS-së, brenda 30 ditëve nga Kongresi, ku ata do të pyeten në një referendum nëse duhet të ketë zgjedhje për kryetarin. Kjo pikë pritet të sjellë përplasje në diskutimet brenda PS-së edhe në Kongres.

ASAMBLEJA

Po sot, delegatët do të votojnë për 175 anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Përpos kritikave, Ben Blushi do të jetë anëtar i Asamblesë Kombëtare, për shkak të mandatit të deputetit ashtu si të gjithë deputetët që hyjnë automatikisht në forumin e lartë. Por, një kufizim ka këtë herë në statutin e ri. Nga kandidimi për anëtar Asambleje përjashtohen të gjithë ata socialistë që kanë statusin e nëpunësit civil. Për shkak të këtij rregulli të ri që do të miratohet sot me ndryshimet në statut, nga Asambleja privohen një sërë emrash të njohur.

Secili Qark do të ketë një përfaqësim të tij, në asamblenë e re. Kështu Tirana, përfshirë edhe Kamzën e Paskuqanin do të ketë rreth 32 anëtarë Asambleje. Në presidiumin e Kongresit do të ketë herë pas here ndryshime. Moderimi do të jetë në dorë të Gramoz Ruçit e Taulant Ballës, në pjesën më të madhe të kohës. Kongresi do të votojë edhe për 9 anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore.

Për Kongresin e sotëm kanë marrë ftesë edhe mjaft aleatë të PS-së. Po kështu është ftuar ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-presidenti Alfred Moisiu, ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, i cili është edhe delegat. Në pritjen e djeshme, Rama falenderoi të gjithë të ftuarit e në mënyrë të veçantë ata nga jashtë vendit, si D’Alema. Në pritjen e mbrëmshme ishin edhe kreu i FRD-së, Bamir Topi shoqëruar nga Sali Shehu, Zef Bushati, ndërsa nga të vjetrit e PS u vu re Sabit Brokaj, Servet Pëllumbi. Munguan Ben Blushi, por ishte deputetja Arta Dade.