Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Historia e Migenës dhe Dinos, dy njerëzve që kujdesen për më të dashurit tanë!

Historia e Migenës dhe Dinos, dy njerëzve që kujdesen për

Nga Lorena Fjolla Migena Stafa dhe Dino Disaro, janë partnerë në jetë dhe në biznes. Dy njerëz me kombësi të ndryshme, që i bënë bashkë ëndrrat e njëjta. Rrugët e tyre u bashkuan në Itali, në kohën dhe në vendin e duhur.

Në një trajnim për atë që të dy e kishin pasion, përkujdesjen ndaj fëmijëve, e veçanërisht, ndaj të moshuarve. Për vite me radhë ata kishin studiuar në fusha të ndryshme, Migena në SHBA, për psikologji, depresionin geriartrik, ndërsa Dino për informatikë. Dino ka punuar për 5 vjet në vendin e tij, ku ka administruar një agjenci për kujdesin ndaj të moshuarve. Idetë e Migenës, eksperienca e Dinos, dhe pasioni i përbashkët, ishte kombinimi perfekt për të sjellë në jetë ëndrrën e gjithsecilit. Të dy erdhën bashkë në Shqipëri, dhe sot janë sipërmarrës të një qendre, ku kujdesen për më të dashurit e familjes. Çifti ka sjellë në vendin tonë një kulturë të re punësimi. Ata kanë krijuar një qendër ndërmjetësimi në tregun e punës, duke përzgjedhur vajza dhe gra dhe duke i trajnuar ata për t’i shërbyer më të dashurve tanë, fëmijëve dhe të moshuarve. Migena na tregon një imazh tjetër të shoqërisë tonë, të atyre vajzave që duan të trajnohen, mësojnë, e punojnë. “Kush tha që të rinjtë nuk duan të punojnë? Ne, në zyrat tona, na vijnë vajza të reja, që kanë mbaruar shkollën e lartë, për infermieri, mësuesi, apo shkenca sociale, që kanë një dëshirë të madhe të punojnë”, shprehet Migena. Më tej ajo tregon për Dritare.net, se si e krijoi Asistencën Familjare. Migena Stafa: Shqipëria ka ndryshuar shumë nuk është më e njëjta si para shumë viteve. Shoqëria ka evoluuar, zonjat i dedikohen karrierës, ndaj duke studiuar tregun, unë pashë se ishte e nevojshme të krijoja një qendër të tillë. T’i çosh prindërit në një azil, perceptohet nga to si një braktisje dhe i bën të ndjehen të vetmuar. Ndërsa t’i shërbesh në shtëpi është komplet ndryshe. Sidomos të moshuarit kanë një lidhje të veçantë me shtëpinë e tyre. Sa e sa prindër, sakrifikojnë dhe refuzojnë të bashkohen me fëmijët e tyre, jashtë vendit, vetëm sepse shtëpia ofron shumë siguri emocionale. Për këtë arsye krijuam Asistencën Familjare. Për më tepër unë edhe Dino, jemi rritur nga gjyshërit, ndaj e ndjejmë akoma më shumë këtë temë. Dino, e njihte Shqipërinë, para se të takonte Migenën. Përmes miqve, po mbi të gjitha, në qendrën ku ai punonte në Itali. Mësoi shqip në shumë pak kohë, ndonëse ka ende kompleksitet se mos ndonjë fjalë e thotë gabim. Dino Disaro: Unë kam punuar 5 vjet në Itali, në një agjenci të ngjashme si kjo që kemi sot. Migena dhe unë kishim të njëjtat dëshira. Eksperienca ime së bashku me përgatitjen e Migenës, ishin një kombinim perfekt, për atë që ne donim të bënim. T’i shërbesh një fëmije apo të moshuari, jo vetëm është një profesion, por ndër më të vështirët. Ju keni në duar pasurinë e gjithë familjes. Ne e dimë këtë rëndësi, ndaj ne kemi sjellë një frymë të re, si të mësojmë të sillemi me to, si të njohim dhe identifikojmë problematikat, dhe si të veprojmë në situata ku nevojiten teknika të mekanikës së trupit e deri te detajet më të vogla.

Ne arrijmë të përzgjedhim personin e duhur, për t’i shërbyer njeriut të duhur. Kjo është pika jonë e fortë. Por nuk është një punë e lehtë. Në përballemi gjithashtu me shumë vështirësi. Të moshuarit kanë sëmundje të ndryshme. Sëmundje kronike, apo sëmundjet e trurit. Në u mësojmë teknika të transferimit të peshës, hapat e higjienës, dhe teknika komunikimi për të gjitha rastet tipike. Dhe mbi të gjitha, ne ofrojmë trajnime jo vetëm për zonjat që do të kujdesen me të moshuarit, me Demenca apo sëmundjen e Parkinson, por edhe për familjarët. Ato duhet të dinë se si të identifikojnë dhe reagojnë, si t’i lëvizin ato, pa dëmtuar as të moshuarit, por as veten. Migena Stafa: Një ndër vështirësitë më të mëdha që kemi është refuzimi i të moshuarve, për të pasur një kujdestar në shtëpi. Ata refuzojnë të heqin dorë nga autonomia, ndaj për këtë arsye ne kemi përfshirë në stafin tone edhe një psikologe. Boralda Lala, është vajza që merret me trajnime dhe këshillime të vazhdueshme jo vetëm për zonjat që do të shërbejnë në shtëpi, por edhe me të moshuarit, fëmijët dhe familjarët e tyre. Ne jemi një ekip, ndryshe nuk bëjmë dot. Por duhet thënë se i preferuari i të moshuarve është Dino. (qesh). Sa herë shkoj t’i vizitoj pyetja e vetme që më bëjnë: Atë italianin kur do na e sjellësh? Më tej Dino na tregon se nuk ka shumë diferencë mes shqiptarëve dhe italianëve, madje mes tyre thotë ai ka më shumë ngjashmëri se ndryshime. Dino Disaro: Shiko, jetojmë në të njëjtën botë. Kemi disa ndryshime në kulturë, por një det na ndan. Në Itali 90% e njerëzve që donin të punonin në asistencën familjare, ishin të huaj, emigrantë. Dhe ne përballeshim me vështirësinë, se klientët nuk dëshironin që në shtëpinë e tyre të fusnin njerëz që nuk ishin italianë e nuk flisnin dialektin e zonës. Familjet ishin pak raciste me thënë të drejtën, shtuar faktin që emigrantët jo të gjithë dinin të flisnin italisht. Mendova që këtu në Shqipëri, nuk do të përballem me vështirësi të tilla, sepse këtu të gjithë ata që ofrojnë asistencë, janë të gjithë shqiptarë. Por edhe këtu familjet kanë të njëjtat kërkesa. Përshembll familjet vlonjate e duan një zonjë nga Vlora, që të kujdeset me fëmijët apo të moshuarit në shtëpinë e tyre. E kështu me radhë. ‘E çuditshme’ thotë shqip Dino duke qeshur. Migena Stafa: Ne kemi sjellë në Shqipëri modelin europian, por sigurisht që i përshtatet tregut shqiptarë. Janë disa teknika sjelljeje që çdo kush duhet t’i dijë, sidomos kur ti i shërben në shtëpi, ku duhet të ruash distancën profesionale. Trajnimi për vajzat dhe gratë zgjat një muaj. Janë mosha shumë delikate, si fëmijët ashtu edhe të moshuarit, ndaj është një punë e madhe, nga ana jonë. Duhet vëmendje, durim. Përshembull, koha për të ushqyer një të moshuar shkon deri në tre orë. Ose për ta lëvizur atë. Ne i trajnojmë si ta bëjnë këtë proces përmes disa hapave, që të mos lëndohet askush. Sidomos kur bëhet fjalë për t’i shërbyer atyre që janë me aftësi të kufizuar, si në karrocë. Ndaj e kemi quajtur Asistenca Familjare, sepse ne duam t’i vijmë në ndihmë familjeve, të plotësojmë nevojat që ata kanë”. Migena dhe Dino, janë një shembull suksesi në Shqipëri. Ata i janë dedikuar tërësisht pasionit, ku kujdesen me zemër, për më të dashurit tonë. Nuk kanë ndonjë sekret të fshehtë për këtë, por shprehen se nuk dinë të ankohen, por të punojnë./dritare.net