Një udhëtim në Amazonën shqiptare, në Divjakë!
Dritare.net
Divjaka është një nga vendet më afër Tiranës, ku të gjithë kemi shkuar e pak kemi parë.
Gazetarja Rudina Xhunga, në shoqërinë e guidës më të veçantë që keni takuar ndonjëherë, që të gjithë e njohin Altini i Divjakës dhe koleksionon, mbron, zhvillon dhe tregon, ishte në një udhëtim në Divjakën e panjohur, që shumë shpejt do të shndërrohet në vendin më të populluar nga turistët.
Sepse është unike, sepse ka pranë pyllin dhe lagunën, faunën dhe florën, pelikanët dhe flamingot, çakallin e artë dhe kërpudhat e Dashit, Pyllin e Lirisë dhe Bulevardin e Zambakëve, Qendrën e Vizitorëve dhe Kullën 360, serat e panumërta dhe oborret me lule, fluturat dhe nepërkat, orkidetë dhe lulëkuqet, peshkun, ngjalat, gaforret dhe kodrat më të bukura, më të mbjella, më të dashura, ku keni bërë ndonjëherë piknik.
Altini, e la Divjakën për Greqinë, bashkë me familjen. Kur shkoi në emigracion, pa për herë të parë një muze natyror dhe nga ai çast, e vetmja ëndërr që pati, ishte të kthehej dhe t’i kushtohej tokës së tij dhe ta ndërtonte atë që pa, në Divjakë, një nga vendet me shumëllojshmëri shpendësh e larmishmëri flore.
Tani Altini shoqëron grupe turistësh nga e gjithë bota, për të parë turin e lulëkuqeve, pelikanin kaçurrel dhe të gjithë emocionohen nga pasioni i një njeriu që e do dhe e tregon tokën e tij, si rrallëkush. Altini e bëri realitet dhe muzeun. Muzeu i Fluturave është i vetmi në Shqipëri, por ende jo në vendin që meriton, aty te Qendra e Vizitorëve. Por Altini nuk mërzitet, ai është shoqëruesi i mrekullueshëm i mijëra turistëve të huaj, që kërkojnë këtë destinacion për më shumë se 228 lloje shpendësh rezidentë dhe shtegtarë që përfaqëson vlerën më të rëndësishme ekologjike mes Evropës dhe Afrikës.
Parku i Divjakës është Amazona e Shqipërisë.
“Jemi në linja të egra, këtu jemi në Amazonë. Jemi në një habitat me tokë, me ujë, me xhungël brenda. Këtu ku kalojmë jemi në një shteg të shkelur dhe është i sigurt. Sigurinë e kemi të parën. Po hyjmë në Amazonë. Prill-Maj është periudha më e mirë, megjithëse këtu është pranverë gjatë gjithë vitit.
Megjithatë turistët që vijnë duhet të kërkojnë këshillat e guidës për t’u mbrojtur nga mushkonjat. Por ama nuk ka lezet të ikësh nga këtu pa një pickim, prej tyre, se ato të zgjojnë nga dehja e aromës së pyllit dhe pishave.” - thotë Altini.
“Kjo këtu është një orkide natyrale. Sapo vizitorët dhe adhuruesit e orkidesë e mësojnë për çeljen e saj më kontaktojnë dhe pyesin për të çelurat e këtij viti. I gjithë territori, kudo ku ne vendosim këmbën jemi në një territor të banuar nga flora dhe lule të çelura.
Gjelbërimi i dendur dhe flora e fauna bashkë e bëjnë këtë habitat një xhungël të vërtetë. Çakalli i artë që doli tani është kafsha dominante e pyllit. Çakalli që doli tani është kafsha e këtij pylli dhe sapo bie nata dëgjon simfoninë e zërave te tyre.
Kjo është xhungla e Divjakës që ne mburremi me krenari. Këtu kemi kërpudhat e egra, por shumë të ushqyeshme dhe të kërkuara nga të gjithë. Kjo kërpudhë rritet bashkë me të tjera në këtë habitat të egër që ka krijuar natyra. Këtu dëgjohen zërat e natyrës, ndihet aroma e luleve, sheh urat e zambakëve, të krijuara nga natyra me magjinë e saj në një vend të bekuar nga flora dhe fauna.
Vitet e fundit falë investimeve të qeverisë ka pasur një rregullim, që e fton vizitorin në një intinerar. E fton turistin të vijë të vizitoje këtë xhungël të natyrës. Unë jam guidë gjatë gjithë vitit. Gjatë gjithë vitit unë shoqëroj vizitorë dhe turistë, nuk ka punë vetëm një sezon.”- vazhdon guida që la Greqinë për tokën e tij që e tregon dhe mbron me pasion.
Divjaka është vendi që do të kthehet në trendin e vizitorëve. Divjaka ka çfarë tregon, çfarë prodhon. Është unike, është e mrekullueshme, është e populluar nga njerëzit më punëtorë që të ka zënë syri ndonjëherë në Shqipëri, por që kanë një faj; nuk dinë të mburren. Mbase nuk kanë kohë. Ata vetëm punojnë. Mos e humb transmetimin e pjesës së parë në youtube; Discover Divjaka. Pjesën e dytë do ta bësh ti, do xhirosh kur të shkosh në Divjakë. Do na i dërgosh në Dritare Tv. Facebook, Instagram, kudo. Dhe do i ndajmë bashkë. E shijofshi Divjakën! Po të presim!/dritare.net