Të njoh me Libohovën, qytetin më unik në Shqipëri!
Dritare.net
Libohova është po ashtu siç Lord Byron e ka përshkruar kur e vizitoi në 1809. Një vend me natyrë të mrekullueshme, me gjellërat më të shijshme dhe vajzat më të bukura. Por sot është edhe më shumë se kaq.
E shtrirë në këmbët e malit Bureto, në kufi me Drinon, në perëndim me Labovën e Kryqit dhe me lumin e Suhës në veri dhe në jug me Nepravishtën, Libohova është e tëra një oaz.
Një mozaik ngjyrash, aromash, shijesh, djepi i kulturës, i njerëzve bujarë, mikpritës e me zë të ulët.
Siç thotë kryebashkiaku Leonard Hide, fjalët në shtëpi të mos i dëgjojë gjitoni.
Kur shkon në Libohovë ndalesën e parë duhet ta bësh te Rrapi. I përket shekullit të XVI. Aty nisi edhe rrugëtimi i gazetares Rudina Xhunga dhe stafit të Dritare TV për reportazhin kushtuar Libohovës.
“Ky është një rrap simbol me moshë mbi 550 vjecare. Në një takim që kemi pasur me Dritëro Agollin, na tha se ky rrap ka pritur e përcjellë prej kohës së Skënderbeut deri në ditët e sotme. Ushqehet nga uji i freskët i burimit të Zhepes. Këtu je si në një oaz të gjelbër.
Libohova ka edhe shumë monumente të tjera, siç janë Sarajet e Myfit Beut, Kalaja e Shanishasë, motra e Ali Pashës, e cila e mori këtë kala dhuratë kur u martua.
Kulla e Sahatit është gjithashtu një tjetër monument i rëndësishëm. Kambana e saj dëgjohet në të gjithë luginën e Drinos. Libohova është një qytet me një origjinë shumë të lashtë. Libohova asnjëherë nuk ka qenë fshat, por gjithmonë qytet ka thënë i madhi Moimom Zeqo. Sepse nuk ka fshat me kala, dhe Libohova ka tre jo një kala”, tregoi për gazetaren Rudina Xhunga historiani Besnik Ismailati.
Kryebashkiaku Leonard Hide po ashtu flet me shumë krenari për bashkinë që ai drejton, duke thënë se çdo cep i Libohovës është i mbushur me histori.
Zoti Hide tha se në planet e afërta është gjithashtu ngritja e një muzeumi historik për Libohovë.
“Kudo që të kthesh kokën në Libohovë ka një histori. Këtu kanë bashkëjetuar të dyja fetë, me kisha dhe xhamia. Libohova nuk është vetëm qendra. Libohova është e zhvilluar në të gjithë zonën. Por planet tona janë të mëdha.
Libohova ka nevojë për ngritjen e muzeumit historik të saj. Ajo që do të tregojë vërtet historinë e saj. Kemi bimë medicinale të zonës, çaj, rigonin dhe sherebelën.
Por nëse mendoni të shkoni në Gjirokastër, të flini aty, e më pas të bëni një shëtitje në Libohovë, na besoni kur themi, se nuk do mjaftoheni të qëndroni me ditë në Libohovë, jo me orë.
Ndaj këtë verë shko dhe zbuloje Libohovën, para se të jetë i tëri i rezervuar, ashtu sic është sot me cdo vend që Dritare ka promovuar./dritare.net