Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Skënderbeu, pasaporta e shqiptarëve! Flet Pëllumb Xhufi!

Skënderbeu, pasaporta e shqiptarëve! Flet Pëllumb Xhufi!

Sot mbushen plot 557 vjet nga vdekja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Skënderbeu vdiq më 17 janar të 1468-ës, në Lezhë. Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë, lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Skënderbeu u martua me vajzën e Gjergj Arianitit, Donikën.

Shumë thonë se Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte një krijim i Rilindësve. Por, historiani Pëllumb Xhufi tregon në DritareTV faktet që vërtetojnë se në fakt Skënderbeu ka qenë dhe është, pasaporta me të cilën identifikohen prej shekujsh shqiptarët. Nëse dikur thoshe emrin e Skënderbeut, të hapeshin të gjitha rrugët, thotë Xhufi.
“Referenca e Gjergj Kastriot Skënderbeut ka qenë e vazhdueshme te himarjotët. Në çdo letër që ata dërgonin si për Papa Gregorin e 13-të, mbretin e Napolit, apo careshën e Rusisë, ata e nisnin letrën me frazën: “Jemi pasardhësit e Skënderbeut.” Skënderbeu nuk ka qenë krijim i Rilindësve, por pasaporta e shqiptarëve. Sot shqiptarët kur shkojnë në Itali, apo Gjermani, e kanë vështirë të paraqiten me të tjerë: Të thonë ne jemi bashkëpatriotët e Panajot Panos, që ka qenë futbollist i shquar, apo të thonë jemi nga vendi i Enver Hoxhës, apo jemi nga vendi i Sali Berishës. Në atë kohë prezantoheshin sikur ishin bijë të Kastriotit. Ka raste nga veriu e jugu kur prezantoheshin fisnikët shqiptarë, thoshin: “Gjyshi im ka qenë kushëri me gjyshin e Skënderbeut.” Ishte një pasaportë që e njihnin të gjithë në Evropë, edhe jepte një lloj garancie. Të hapte rrugët.”, thotë historiani në DritareTV./K.C/dritare.net