Sekreti që u fsheh 80 vjet në një shtëpi Berati! Flet pasardhësja e familjes që shpëtoi amerikanet!
Dritare.net
Për herë të parë pas 81 vjetësh, një zonjë tregon në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv, historinë sesi familja e saj beratase, mbajti për 6 muaj 3 amerikane, që ishin mes 30 infermierëve dhe sanitarëve, avioni i të cilëve u rrëzua në Çestije të Belshit në 1943-shin. Zonja Valentina Kolovani pa dokumentarin e DritareTv “Në besë të shqiptarëve”, ku nuk u tregua si u shpëtuan 3 amerikanet që mbetën në Beratin e pushtuar nga gjermanët, kur grupi me 27 infermierët dhe sanitarët iku nga Berati, në Karaburun e pastaj në Bari. Ndaj zonja Kolovari erdhi ta tregojë vetë në Dritare, historinë se si tri vajzat shkuan në familjen e Nani dhe Antigone Karajt, qëndruan aty për 6 muaj, pastaj u dërguan për në Bari, edhe kjo histori nuk u tregua më kurrë. Valentinës ia tregoi historinë hallë Antigoneja. Ajo vendosi të flasë sot për herë të parë në studion e Shqipit, sepse thotë ajo, kjo histori duhet rrëfyer, që të vlerësohet familja Karaj për kontributin e saj të jashtëzakonshëm.
“Unë pashë dokumentarin e DritareTV “Në besë të shqiptarëve” që tregonte historinë e rrëzimit të avionit në Belsh, me 30 infermierë dhe sanitarë amerikanë. Pashë si u shpëtuan 27 amerikanët, por nuk dëgjova për historinë e 3 infermierëve që shpëtuan familjarët e mi. Ndaj erdha vetë sot në DritareTV të rrëfej për herë të parë pas 81 vjetësh, si u shpëtuan 3 vajzat amerikane, nga paraardhësit e mi.
Ditën që 30 amerikanët ishin në Berat, gjermanët erdhën befas dhe sulmuan qytetin. Në panik e sipër, infermierët dhe sanitarët ikën të gjitha nga Berati, të shoqëruara nga Kostaq Stefa. Mbetën vetëm tri vajza që po rrinin në shtëpinë më të largët. Këto vajza, partizanët ia lanë në besë Kristaq Karajt. Ai u tha partizanëve që kishte shumë njerëz në shtëpinë e vet dhe duhet t’i çonin te shtëpia e vëllait. Kështu partizanët i dërguan tri vajzat te shtëpia Nani dhe Antigone Karajt, ku unë jetova për 10 vjet si nusja e nipit të tyre sepse ata nuk mundën të sillnin në jetë një fëmijë, por na deshën ne si fëmijët e tyre.
Ishte shumë e rrezikshme sepse shtëpia e Nanit ishte në qendër të Beratit, edhe në pijetoren e xhaxha Nanit hynin e dilnin gjermanë e partizanë. Por duhej t’i fusnin në një shtëpi që kishte ekonomi dhe mos kishte fëmijë. Infermierët kishin frikë për jetën e familjarëve të Nanit dhe fshiheshin në kadet e verës, sepse gjermanët vinin shpërthenin derën dhe bënin kontrolle të befasishme. Ato i thanë Nanit: “Për një gjë na vjen keq, që po erdhën gjermanët do ju pushkatojnë dhe ne nuk duam.” Më tregoi halla që një ditë erdhën gjermanët në shtëpi, njëra vajzë qëlloi në sallon sepse ishte me nipin 7-vjeçar të Nanit. Ajo u tha gjermanëve në shqip: “Djali ka temperaturë dhe unë jam infermiere.” Ato visheshin me veshje shqiptare.
Halla më tregoi si i angazhonte vajzat me punë sepse ato nuk dolën kurrë nga ajo shtëpi. Edhe dhoma ku flinin tri infermieret nuk kishte dritare nga jashtë, por kishte një baxha që hynte dielli.
Dritarja ishte në sallonin e shtëpisë. Nani u kishte përshtatur tri krevate. Ato krevate unë i përdora për të rritur fëmijët e mi, sepse ato ngelën aty, bashkë me kujtimet për vajzat amerikane. Kur halla shkonte në dhomë më thoshte: “Kjo dhomë mban shumë kujtime bijë. Shyqyr që mbaroi me kaq. Ato ishin amaneti ynë.”
Nisja e 3 infermiereve për në Dukat. Nga Dukati në Bari.
Hallë më tregoi që infermierët ikën nga shtëpia e Nanit nga fundi i shkurtit ose në fillim të marsit. Vajzat u veshën me rroba shqiptare, u dhanë ushqim me vete. I kishin pajisur me dokumente shqiptare që të ishin më afër realitetit. Personi që i shoqëroi vajzat në Dukat ishte Tare Shyti. Halla dhe Nani e morën vesh shumë vonë, pas tre katër javësh që vajzat u shpëtuan. Erdhi Nani në shtëpi edhe i tha gruas: Vajzat shpëtuan, kanë mbërritur në Bari. Tani mund të marr frymë thellë.” Vërtet i mbajtën mbi 5 muaj ato vajza, por ikja ishte shumë e vështirë.
Ata nuk folën asnjëherë për këtë ngjarje. Pas vdekjes së nënë Ollgës, Antigona më tregonte të gjitha historitë. Pas çlirimit, për dy vjet ato i dërguan letra dhe dhurata familjes së Nanit. Ndërsa në 1947-ën, pas gjyqit dhe pushkatimit të përkthyesit të amerikaneve Kostaq Stefa, u ndalua çdo gjë. Duke qenë se ata mbajtën barrën e besës dhe frikës, nuk folën më kurrë për këtë histori. Kështu unë e ndjeva për detyrim kur pashë dokumentarin, që të flas për ta, edhe të tregoj çfarë njerëzish ishin ata që bënë një gjë kaq të madhe dhe nuk u mburrën kurrë, sepse siç më thoshte nënë Antigoneja;"Në këtë botë gjërat venë dhe vijnë dhe nuk duhet të mburresh." Por unë duhet ta thosha këtë histori sepse dikush duhet t'i falënderojë këta njerëz, meritat e të cilëve i morën të tjerë.", tregon zonja Kolovari në DritareTV./K.C/dritare.net