
Pse e adhurojnë turistët spanjollë këtë vend në Klos!
Dritare.net
Në një fshat të qetë e të mbuluar nga gjelbërimi i maleve të Klosit, gjendet një nga bujtinat më të dashura të turistëve të huaj, Bujtina Çupa. Në reportazhin e DritareTV, Inesa Çupa tregon me pasion dhe krenari se si kjo bujtinë, që operon vetëm prej 7 muajsh, është kthyer në një magnet për vizitorë nga e gjithë Evropa, me një numër gjithnjë në rritje spanjollësh që zgjedhin ta vizitojnë.
“Që në javën e parë të hapjes, kemi pasur turistë spanjollë. Më pas na vizituan gjermanë, italianë, francezë… por spanjollët u lidhën menjëherë me këtë vend,” thotë Inesa në intervistën për DritareTV.
Ajo tregon se kjo lidhje e veçantë me turistët spanjollë u forcua edhe falë vëmendjes që Bujtina Çupa mori nga gazeta prestigjioze spanjolle El País, ku u shkrua për vendin dhe për mikpritjen e veçantë që gjen aty. “Na kanë vizituar disa gazetarë nga Spanja. U ka pëlqyer shumë dhe kjo na ka ndihmuar të bëhemi më të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj,” – shton Inesa.
Por kontribut të madh në këtë sukses ka edhe iniciative e tre djemve të “Hola Albania”, të cilët përmes një stende të thjeshtë kanë promovuar Shqipërinë në Spanjë, duke sjellë një fluks të ri turistësh. “Dua t’i falënderoj publikisht. Po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për vendin,” – thotë Inesa me mirënjohje.
Turistët spanjollë nuk vijnë vetëm për ushqimin tradicional, pamjet e mrekullueshme dhe ambientin e paprekur, por për diçka më të thellë: një përvojë autentike, të sinqertë dhe larg çdo klisheje turistike. Bujtina Çupa ofron pikërisht këtë, një ndjesi familjare, gatime të bëra me dashuri nga përbërës të vendit dhe qetësinë që ofron natyra e pasfiduar.
“Sot, grupet më të mëdha që duan të vijnë janë pikërisht spanjollët. E shoh që kjo rritje është reale. Ata na kontaktojnë, kthehen sërish, na rekomandojnë te të tjerët. Por, sigurisht, nuk mund të lë pa përmendur dhe vizitorë nga vende të tjera, të cilët i falënderoj me gjithë zemër që bëjnë rrugë të gjatë për të ardhur te ne,” shprehet Inesa për DritareTV.
Një tjetër kategori që e viziton shpesh Bujtinën janë turistët e huaj me motoçikleta. “Ata ndalojnë rastësisht, shohin që ka dhoma, dhe vendosin të rrinë. Ky vend i paprekur i bën të ndihen të veçantë. Dhe Rruga e Arbrit na ka dhënë një shtysë të madhe, sepse e ka lidhur zonën me Tiranën dhe më tej,” thotë ajo.
Bujtina Çupa është tashmë një histori suksesi që dëshmon se mikpritja shqiptare, kur shoqërohet me përkushtim, pasion dhe dashuri për vendin, mund të bëhet atraksion ndërkombëtar. Dhe spanjollët, me ndjeshmërinë e tyre ndaj kulturës dhe autenticitetit, e kanë kuptuar më mirë se kushdo vlerën që fshihet në këtë cep të bukur të Klosit./K.C/dritare.net

















