
Pavlina Tollkuçi: Prindërit më thanë na burgose në Amerikë. Ndaj krijova një qendër për pensionistët shqiptarë!
Dritare.net
Nëpërmjet z.Bardhyl Reso, i cili jeton në SHBA, Dritare TV, hyri live në një qendër ditore të moshuarish shqiptare në Worcester, Massachusetts. Quhet Qendra Shqiponja, shtëpia ku mblidhen shumë të moshuar shqiptarë, për 6 orë në ditë dhe kalojnë bashkë kohë të çmuar.
Drejtuesja e kësaj qendre, zonja Pavlina Tollkuçi tregoi për gazetaren Rudina Xhunga se arsyeja se përse e hapi këtë qendër ishin prindërit e saj, të cilët kur shkuan në Amerikë mërziteshin shumë dhe pavarësisht se nuk u mungonte asgjë, nuk dukeshin të kënaqur që kishin lënë Shqipërinë.
“Unë kam ardhur këtu në vitin 1994. 4 vjet më pas solla prindërit. Për prindërit bëja gjithçka që ata të mos u mungonte Shqipëria. Në shtëpi gatuanim gjellë Shqipërie, ruanim traditat, por sërish nuk i shikoja të lumtur.
Kuptova që atyre më shumë u mungonte ana sociale. Nuk u interesonte asgjë materiale. Nuk donin as për të ngrënë e as për të pirë, e lëre më veshje e shëtitje.
Gjera që u mungonte ishte jeta në Shqipëri. Nisa të kërkoj ku mund ti dërgoja prindërit e mi që të kalonin kohën. I çova prindërit e mi atje. Ditën e parë kur u kthyen në shtëpi i pyeta. Dukeshin sikur kishin nisur sërish jetën. Për herë të parë babai më tregoi se në shtëpi, e ndjenin veten si në burg. Sepse unë rrija gjithë ditën në punë, ata të dy vetëm në shtëpi. Nuk dilnin, televizor me stacione shqiptare nuk kishte. Pra nuk kishin asnjë komunikim me askënd, veç njëri-tjetrit.
Qendra ku shkonin prindërit e mi ishte ruse. Ata ndjeheshin mirë, por sërish u mungonte Shqipëria. Ndaj mendova me veten time pse të mos e krijoj unë një qendër të ngjashme por vetëm për shqiptarët.
Për brezin e prindërve tanë që punuan dhe luftuan gjithë jetën. Kjo qendër është një Shqipëri e vogël. Të pinë një kafe mes shqiptarësh, të ndërrojnë një muhabet, të shuajnë pak mall nga Shqipëria”, u shpreh zonja Pavlina Tollkuçi në Dritare TV./L.F-dritare.net

















