
Nga emigracioni në një bujtinë model! Historia e Sabri Shahinit në Rabdisht të Dibrës
Dritare.net
Në vitin 2015, Sabri Shahini vendosi të bëjë një kthesë në jetën e tij. U largua nga emigracioni në Itali dhe u kthye në vendlindjen e tij, në fshatin Rabdisht, për të kthyer shtëpinë e fëmijërisë në një bujtinë turistike. Sot, bujtina “Guest House Sabriu” është ndër të parat dhe më të njohurat në zonë.
Në një rrëfim të sinqertë për Dritare TV, Sabriu tregon se si nisi gjithçka nga dy dhoma të vjetra, me ndihmën e familjes dhe miqve, pa pasur as fonde, as njohuri të mëparshme për turizmin. Por pasioni për vendin dhe trashëgimia familjare e ndihmuan të kthejë një shtëpi karakteristike në një bujtinë që mikpret turistë nga gjithë bota.
Në emision do të shihni:
• Si ruhet ende “oda e burrave” ku pihet kafe në prush dhe bisedohet natën vonë;
• “Mangallin”, që ngroh dhomën si dikur;
• Bibliotekën dhe reliket e komunizmit: televizorë, radio, vegla mjekësore të gjyshit, dhe monedha të vjetra shqiptare;
• Kuzhinën tradicionale me ushqime 100% të prodhuara në vend: jufka, mish qingji, lakror, fli, qull, suxhuk, sallatë nga kopshti dhe bukë shtëpie;
• Bashkëshorten që përgatit çdo vakt me përkushtim dhe përfshin turistët në përgatitjet si pjesë e familjes;
• Një lidhje të thellë njerëzore me çdo vizitor që vjen, madje edhe çanta e një familjeje gjermane që qëndron aty gjithë vitin, sepse ata rikthehen vit pas viti.
Rruga e Arbrit, që lidh Dibrën me Tiranën, ka qenë vendimtare për këtë transformim. Një rrugë që po çliron potencialin turistik të gjithë zonës, duke nxjerrë nga harresa thesare të vërteta shqiptare si Rabdishti.
Sabriu, që është shembulli i një emigranti që nuk harroi tokën e tij, sot është burim frymëzimi për të rinjtë dhe një thirrje e heshtur që thotë: “Kthehuni, sepse ka jetë dhe punë edhe këtu.”/dritare.net

















