Mos emigro! Pa ty nuk ia dalim dot! Historia e kopshtarit nga Mitrovica!
Dritare.net
Kjo është historia e Ganiut, që ka ngritur një mrekulli shumëngjyrëshe në Mitrovicë. Agroserra është një serë e madhe lulesh dhe fruta e perimesh e ngritur nga Gani Hajzeri dhe bashkëshortja e tij prej 30 vjetësh. Ganiu la emigrimin për t’i kthyer në Kosovë dhe ndërtuar serën e tij, fillimisht me perime dhe fruta.
Pas nisjes së luftës, sera u shkatërrua dhe Ganiu emigroi në Zvicër për të punuar në sera. Ai nuk qëndroi në Zvicër për shumë kohë dhe u rikthye në atdhe për të ngritur një mrekulli lulesh. Sot, kjo mrekulli është sërish në rrezik, sepse Ganiu po mendon të rikthehet sërish në emigrim, pasi nuk shteti dhe institucionet në Kosovë nuk po e mbështesin, ka mungesë grantesh e subvencionimesh dhe kostoja e prodhimit është shumë e lartë dhe nuk po e përballojnë dot më.
Historinë e Ganiut, e tregoi Altin Prenga i Mrizit të Zanave. Altini dhe Ganiu ishin sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv, për të kërkuar një mbështetje përmes emisionit tonë, që Ganiu mos largohet nga Mitrovica dhe të braktisë Agroserrën e tij.
Ikja e Ganiut thotë Altini i Mrizit të Zanave, është një dështim për ne dhe gjithë institucionet.
“Ganiu është një nga shembujt më të mirë që duhet t’i mbijetojë këtij vendi. Njerëz si Ganiu nuk janë shumë dhe ikja e tij është një dështim për institucionet, por edhe ne. Kur më tregoi që do emigronte, u drodh dhe i shpëtoi një lot. Më mërziti shumë. I thonë 30 vjet punë. Kështu do bëja edhe unë po mos më ecte te Mrizi. Ganiu është ëndërrimtar, pasionant i paparë. Gjërat e bukura të Ganiut duhet të vazhdojnë të ecin para dhe shpresoj që mos dorëzohet. Njerëzit dhe institucionet duhet t’i bashkohen thirrjes sime për ta mbështetur. Ne kemi ndërtuar një sistem ekonomik në Shqipëri dhe Kosovë ku importuesit janë ata që kanë në dorë fatin e vendeve. Kjo është një fatkeqësi sepse po bën që ata që prodhojnë shqip të ikin nga vendi i tyre. Përkraheni Ganiun jo vetëm duke i dhënë një like dhe share, por edhe duke i thënë një “Bravo”, për punën e mrekullueshme që ai bën dhe përse jo financiarisht!”
Ky ishte mesazhi i Altinit në emisionin Shqip drejtuar të gjithëve, për t’i ofruar një mbështetje Ganiut që ai mos ta braktisë tokën e tij. Siç thotë edhe Altini, Ganiu duhet të rrijë në tokën e vet, në tokën shqiptare sepse atë e bën më të bukur me lulet e tij./K.C/dritare.net