
Në zemër të Apollonisë, qytetit antik të ngritur mbi kodrat e Myzeqesë, u rikthye në jetë një nga skenat më mahnitëse të historisë shqiptare: ndeshja e gladiatorëve. Kjo nuk është thjesht një përrallë nga Roma e largët, por një faqe e vërtetë e historisë sonë, e rrëfyer me emocion dhe saktësi nga profesori dhe arkeologu i njohur Neritan Ceka, në një intervistë ekskluzive për Dritare TV.
Gjatë rindërtimit të tempullit të famshëm të Apollonit, një prej monumenteve më të njohura të trashëgimisë shqiptare, u zbuluan mbishkrime të rralla që dëshmojnë se me rastin e inaugurimit të tij u organizua një spektakël gladiatorësh, me plot 25 luftëtarë që luftuan përballë njëri-tjetrit në këtë qytet, i cili prej kohësh konsiderohej një qendër me kulturë helene.
Pikërisht ky kontrast – një ndeshje gladiatorësh në një qytet me kulture helene, përbën një dëshmi unike të bashkëjetesës mes dy qytetërimeve: grek dhe romak. “Në një qytet që konsiderohej helen, prania e gladiatorëve, që janë një element tipik romak, është një kontrast shumë interesant,” – shpjegon profesori Ceka. “Kjo tregon se si traditat greke bashkëjetuan me ndikimet e reja romake, duke krijuar një simbiozë kulturore që nuk gjejmë shpesh në qytetet antike.”
Por ky moment nuk është vetëm një detaj arkeologjik. Ai pasqyron një ndryshim të thellë kulturor dhe politik në historinë e Shqipërisë së lashtë. Prania e gladiatorëve nuk ishte thjesht një spektakël për argëtim. Ishte një shenjë e fuqisë së Romës, një mënyrë për të shfaqur dominimin e saj kulturor, ndërsa qytetet greke të Adriatikut përpiqeshin të ruanin identitetin e tyre.
Ndeshja e 25 gladiatorëve në Apolloni është e vetmja e dokumentuar deri më tani në territorin shqiptar. Mbishkrimi që flet për këtë ngjarje gjendet në frontonin e tempullit të rindërtuar, ku përmendet agonoteti, zyrtari që kishte për detyrë organizimin e lojërave.
Ky episod i jashtëzakonshëm është një ftesë për të rishikuar historinë tonë përtej ndarjeve të ngurta mes helenëve dhe romakëve. Apollonia, me gjithë gurët e saj që u ringritën nga toka falë pasionit të arkeologëve shqiptarë, dëshmon se historia e këtij vendi është një mozaik kulturash që kanë bashkëjetuar, sfiduar dhe pasuruar njëra-tjetrën./ dritare.net

















