Kryetari i Bashkisë: Skrapari që nuk njihni!
Dritare.net
Mungesa e rrugëve bën që të ketë një stepje të turistëve të cilët duan të kalojnë apo qëndrojnë në Skrapar. Rruga Berat-Çorovodë është lehtësisht e kalueshme edhe me makina të vogla, por vende-vende është e amortizuar dhe ka nevojë për rikonstruktim. Gjithashtu mungesa e rrugëve lidhëse me qytete të tjera turistike në vend, është një minus që ndikon negativisht dhe i bën dëm Skraparit, sa i takon numrit të vizitorëve. Adriatik Mema, kryetar i Bashkisë Skrapar për gazetaren Rudina Xhunga në vlogun e radhës kushtuar Çorovodës, tregon se çfarë mund ta ndryshojë qytetin.
“Unë besoj se turizmi do të jetë një burim i mirë ekonomik për të ardhmen e Skraparit. Ajo çfarë ka ndodhur këtë verë në vendet bregdetare pjesërisht është reflektuar edhe këtu. Kanionet e Osumit vazhdojnë të jenë një atraksion shumë rëndësishëm. Por Problemi më i madh është aksesi, rrugët e komunikimit. Ne sot jemi ende në kushte të vështira. Rruga që do të lehtësonte dhe do të ndikonte në numrin e turistëve, është në gjendje jo fort të mirë.
Rruga Berat-Çorovodë, është një e kalueshme, bëhet lehtësisht edhe me makina të vogla por jo më e mira e mundshme.
Unë jam për një qasje rajonale të zhvillimit të turizmit. Turizmi nuk mund të zhvillohet vetëm këtu në Skrapar. Por duke qenë se shumica e Turistëve kërkojnë të shkojnë në Përmet, të shkojnë në Korçë, gjë që u mundësohet me shumë vështirësi, kjo i step turistët.
Po të ofrohej kjo mundësi, numri i tyre në Skrapar do të ishte shumë më i lartë. Unë shpresoj se e ardhmja do të jetë më e mirë. Ajo që ne synojmë është të qëndrojnë këtu gjatë, jo vetëm një ditë. Por kjo do kohën e vet”, u shpreh zoti Mema në Dritare TV./L.F-dritare.net