
Historia e kolonelit italian që luftoi përkrah partizaneve shqiptarëve!
Dritare.net
DritareTv ishte e ftuar në Castiglione di Ravenna për të ndarë historinë e kolonelit italian që u vra në Shqipëri, ndërsa luftonte me partizanët shqiptarë në Pezë. Çdo 25 Prill në Ditën e Çlirimit të Italisë, fëmijët e shkollës shkojnë për të vënë kurorë me dafina te shtëpia e ushtarakut italian rënë për lirinë e Shqipërisë. Nënkryetari i komunës së Ravenës Eugenio Fusignati tha në ceremoni:
“Shkolla juaj quhet Goffredo Zignani. Kush është ai!
Një ushtarak nga Castiglione di Ravenna, si një kolonel dhe si të gjithë ushtarakët, ishte betuar të shërbente me nder dhe me disiplinë për vendin e tij, Italinë. Ai luftoi në Shqipëri. Këtë pjesë të historisë do ta mësoni së shpejti në shkollë.
Italia kishte nisur një luftë të tmerrshme përkrah Gjermanisë naziste. Në 8 shtator deklaron kapitullimin. Çfarë ishte kjo? Një pushim i luftës ndaj atyre që luftonin me Gjermaninë dhe Italinë.
Në këtë kaos Goffredo Zignani i cili gjendej në Shqipëri vendos per vete. Dhe çfarë vendos? Vendos të luftojë përkrah Gjermanisë? Të ikë me vrap në shtëpi? Jo! Zgjedh diçka tjetër. Zgjedh t’i bashkohet kujt lufton kundër Gjermanisë naziste. Gjermania në atë kohë përfaqësonte një nga diktaturat më të pamëshirshme që historia jonë kujton.
Dhe për fat të keq, përkrah atyre diktaturave të pamëshirshme ishte edhe vendi ynë. Kështu Zignani zgjedh një rrugë tjeter. Gjë që është pikërisht në përputhje me atë betim që ai kishte bërë. Ai zgjedh të jetë në anën e lirisë duke ndihmuar popullin shqiptar, për t’u çliruar nga skllavëria e Gjermanisë naziste dhe pushtimit të Italisë fashiste.
Dhe për këtë kapet dhe vritet. Vdes për një vend të huaj, do mendojë shumë kush. Por jo! Nuk ka vdekur për një vend të huaj. Sepse koncepti për lirinë, është një koncept shumë i gjerë. Liria nuk është ajo çfarë mendojmë.
Liria është ndërgjegjësimi për atë që duhet të bëjmë. Kështu që është një ndjesi, një detyrim për të respektuar të drejtat e të tjerëve, e drejta për të ndaluar një hap përpara se të shkelim lirinë e tjetrit.
Dhe ku ka një popull që lufton për liri, ka një atdhe. Kështu Goffredo Zignani që ishte betuar për disiplinë dhe nder në atdheun e tij Itali, luftoi për Shqipërinë, për njerëzimin, për lirinë, për të mbrojtur atë liri që sot është trashëgimia e të gjithëve.”
I biri i kolonelit të rënë, Luciano Zignani u shpreh:
“Unë jam 85 vjeç dhe kam jetuar 85 vjet në paqe. Sepse kur popujt e Evropës pushuan së luftuari me njëri-tjetrin, erdhi paqja. Lindi Evropa dhe ky është i vetmi hap i madh që është bërë në historinë e Evropës. Ju them të gjithëve ju fëmijë, që të mos harroni se paqja vjen kur ndaloni së qeni arrogantë. Fatkeqësisht, sot jemi në një botë shumë arrogante. Kujdes nga kjo botë dhe mbështetuni tek Evropa!
Bëjeni Evropën më të mirë! Evropa është ende e brishtë. Evropa është e paplotë, por është shpëtimi i vetëm i popujve evropianë, në mënyrë që t'ju garantojmë juve, edhe 90 vite të tjera në paqe! Mbajeni mend këtë dhe rroftë 25 Prilli!”, tha ai.
DritareTV do të sjellë një tjetër dokumentar që flet për një histori unike shqiptaro-italiane, që dëshmojnë Besën e shqiptarit. Shqiptaret shpëtuan mijëra ushtarë italianë nga kampet e përqendrimit nazist. Iu dhamë besën, i morëm në shtëpitë tona, i përcollëm gjallë në Itali. Gjurmët e kësaj historie madhështore janë kudo. Ne do i mbledhim dhe ndajmë me ju, në nëntor, në episodin e dytë të ciklit: Në besë të shqiptarëve. Si shpëtoi Shqipëria, mijëra italianë nga zhdukja në kampet naziste!/ dritare.net

















