
Gazetari britanik, në gjurmët e Edith Durham
Dritare.net
Në një nga cepat më të largët dhe më të paprekur të Evropës, aty ku malet e thepisura të veriut shqiptar ngrihen si kështjella natyrore, gazetari britanik Robert Hackman udhëton në gjurmët e një figure të jashtëzakonshme, Edith Durham. Në zemër të Dukagjinit, ai rrëfen historinë e një gruaje që, më shumë se një shekull më parë, sfidoi normat e kohës për të zbuluar dhe dokumentuar jetën e malësorëve shqiptarë. E pranuar si njëra prej tyre, ajo la pas jo vetëm libra, por edhe një trashëgimi të gjallë në kujtesën kolektive të këtyre anëve. Ky dokumentar në DritareTV sjell përmes syve të një gazetari britanik, jehonën e lidhjes së pazakontë mes një udhëtareje britanike dhe shpirtit të malësisë shqiptare.
Gazetari britanik Robert Hackman, me biznesmenin Gjon Gjila-Tradita
"Mirë se vini në zonën e Dukagjinit!
Kjo është Lugina e Shalës. Në këtë zonë, armiku, pushtuesi nuk ka ardhur kurrë.
As bizanti, as romakët dhe as otomanët. Njerëzit që jetojnë këtu kanë jetuar në liri dhe janë shumë të fortë falë maleve, fuqisë së maleve, energjisë së tyre.
Besimi i tyre është ndërmjet natyrës dhe krishterimit, por më shumë kah natyrës, energjisë së maleve. Por dhe nga mitet e shumë, shumë viteve më parë.
Jeta këtu ka rrjedhur sipas ritmit të vet, e paprekur nga bota e jashtme.
Udhëtarët në këto anë shiheshin gjithmonë me dyshim. Por një vizitore u prit me ngrohtësi të madhe, një grua angleze, me emrin Edith Durham, e cila udhëtoi në këtë rajon në fillim të viteve 1900, u lidh në mënyrë të veçantë me njerëzit e fisëm që banonin në këto lugina veriore.
Ndërsa kalojmë nëpër peizazhin që ajo përshkroi dikur, ndalem për të bërë një fotografi të Gjonit që qëndron pranë një monumenti të vogël.
Kjo është Edith Durham. Ajo ishte misionare nga Anglia.
Kaloi shumë kohë në këtë zonë, veçanërisht në veriun e Shqipërisë. Por shumicën e kohës ajo e kaloi në Shalë, me njerëzit këtu.
Ajo ishte vërtet e dashuruar me këta njerëz, me zakonet dhe me mënyrën si jetonin ata.
Ajo i regjistroi të gjitha dhe shkroi për to.
Ata janë shumë krenarë.
Ne lutemi që Edith Durham të prehet në paqe sepse ishte shumë e veçantë për njerëzit e kësaj zone.
Ajo ishte shumë pranë tyre dhe i deshi fort.
Po i deshi shumë.
Libri i parë që kam lexuar për Shqipërinë ishte “High Albania” nga Edith Durham.
Në librin e saj, ajo përshkruan kohën e kaluar me fiset që banonin malësinë veriore, duke regjistruar ligjet, zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës. Por ishte puna e saj e palodhur, duke organizuar dhe shpërndarë ndihma gjatë viteve të fundit të trazuar të Perandorisë Osmane, ajo që e bëri vërtet të dashur për popullin vendas. Nga mirënjohja, ata i dhanë asaj titullin jozyrtar: “Mbretëresha e Malësorëve.” Dhe deri më sot, ajo është ende e nderuar. Emri i saj mund të shihet shpesh në ndërtesa dhe shenja rrugësh nëpër Shqipëri."/K.C/dritare.net

















