
100% natyrë dhe mite! Zbulo sekretet e Luginës së Shalës!
Dritare.net
Nëse ka një vend në Shqipëri ku natyra dhe historia ndërthuren në mënyrë të mrekullueshme, ai është Dukagjini. Në dokumentarin më të ri nga DritareTV, fotoreporteri britanik Robert Hackman na udhëheq në një udhëtim në zemër të Luginës së Shalës, një udhëtim ku mali flet, njerëzit rrëfejnë dhe legjendat marrin jetë.”
Që në minutat e para, udhëtimi fillon me habi dhe respekt për madhështinë e maleve. "Unë e bëj këtë rrugë çdo ditë për 6 muaj," thotë Gjon Dukgilaj banor vendas, me një buzëqeshje të qetë që vetëm njeriu i malit mund ta ketë. “Nuk lodhem kurrë, sepse e di energjinë që mbartin këto male.”
Roberti ndalet shpesh për të reflektuar. Ajri i pastër, heshtja pa tension dhe madhështia e natyrës e bëjnë të ndihesh i vogël përballë maleve, por njëkohësisht i plotësuar. "Je në parajsë," thotë ai, "në një paqe që nuk e gjen askund tjetër."
Lugina e Shalës është një nga ato zona ku historia nuk është thjesht e shkruar – ajo është ende e gjallë. “As romakët, as bizantinët, as otomanët nuk arritën të pushtonin këtë tokë,” tregon Gjoni. "Njerëzit këtu kanë jetuar gjithmonë në liri."
Besimi në këto anë është një bashkëjetesë mes natyrës dhe krishterimit, por më shumë kah natyrës. Këtu, energjia e maleve është e shenjtë dhe mitet nuk janë vetëm tregime, ato janë pjesë e jetës.
Një nga thesaret më të mëdha të kësaj zone është mikpritja. Ajo është e rrënjosur thellë në zakonet, veshjet dhe ceremonitë e tyre. Tradita nuk është e varrosur në kohë, është gjallë dhe përjetohet përditë. Njerëzit këtu i ruajnë ritet e të parëve me përkushtim dhe krenari.
Gjoni tregon se ndonëse jeton në Shkodër, kthehet mbi 200 herë në vit në Shalë. "Këtu marr frymë ndryshe. Më mungon kjo energji kur jam në qytet. Mali të ngarkon me jetë."
Në Dukagjin, mitet janë si rrënjët e pemëve që s’duken, por mbajnë gjithçka gjallë. “Zanë, do të thotë zë,” thotë një prind. “Zëri që vjen nga malet, nga qielli... fëmijët tanë rriten me këto tregime.” Kjo është trashëgimia më e bukur, jo vetëm për vendin, por edhe për brezat që vijnë.
Një nga momentet më domethënëse të dokumentarit është ndalesa pranë një monumenti të veçantë. Aty qëndron e përjetësuar Edith Durham, udhëtarja angleze që u dashurua me Shalën dhe njerëzit e saj.
Durham ishte më shumë se një vizitore, ajo ishte një mbrojtëse e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. "Shqipëria nuk e ka harruar. Sot emri i saj është në rrugë, në shkolla, në kujtesë." Dhe monumenti që i kanë ngritur këtu është një dëshmi e gjallë e mirënjohjes.
Lugina e Shalës është gjithnjë e më e vizituar, por banorët e saj e dinë rëndësinë e mbrojtjes. “2,000 turistë në natë janë mjaftueshëm. Mbi këtë numër, humbasim esencën,” thotë Gjoni. Ata janë të vetëdijshëm që nuk kanë vetëm një peizazh për t’u ofruar turistëve, por një trashëgimi që duhet ruajtur.
Në fund të udhëtimit, Robert Hackman e kupton thellë se çfarë do të thotë të jesh në Dukagjin. Nuk është vetëm një vend i bukur. Është një rrëfim. Është frymë që të mbush mushkëritë, një zë që të flet nga thellësia e maleve, një histori që nuk ka përfunduar.
“Nëse do të ndjesh shpirtin e vërtetë të Shqipërisë, duhet të vish në Dukagjin. Dhe jo vetëm në verë. Por në çdo stinë. Sepse këtu, natyra, njeriu dhe historia janë një.” – thotë Robert Hackman./K.C/dritare.net

















