Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Dy mësuesit kanadezë, nga Kanadaja në Theth!

Dy mësuesit kanadezë, nga Kanadaja në Theth!

Jennifer Malloy dhe Seamus Malloy janë dy mësues gjuhe, në Alberta të Kanadasë. Askush prej tyre nuk e njihte Shqipërinë deri këtë vit, kur në itinerarin e një udhëtimi të gjatë, u shtua në listë edhe vendi ynë. Kontakti i parë me Shqipërinë ishte përmes internetit.

“Nisa të kërkoj në internet për vende të reja dhe Shqipëria dukej shumë e bukur. Kishte një shumëllojshmëri të gjërave që ne duam dhe ja ku jemi këtu duke ngjitur malet. Ne jetojmë afër Banff dhe dashurojmë ecjen në natyrë”, shprehet Jennifer për Dritare TV.

Po nuk është vendi që i ka habitur çiftin kanadez, sa e i ka habitur mikpritja e shqiptarëve e në mënyrë të veçantë, sjellja me fëmijët.

Këtu mund të qëndrosh të mos shqetësohesh për ushqimin. Kemi vënë re se këtu në përgjithësi njerëzit janë miqësorë dhe mikpritës me fëmijët.

Dhe ne nuk e ndjejmë gjithmonë këtë në Amerikën e Veriut, kështu që kjo është pjesë e motivimit tonë. Prandaj na u duk fantastike dhe deri tani na pëlqen shumë këtu.

Na pëlqen të vizitojmë vende që janë pjesë e UNESCO dhe ka shumë si to në Shqipëri dhe mezi po presim t’i vizitojmë, si Gjirokastër, Berat, gërmadhat e vjetra dhe gjithçka si këto.

Diçka që kemi vënë re në Evropë në përgjithësi duke udhëtuar me Finny është që gjithmonë jemi ndjerë të mikpritur me fëmijën tonë dhe këtë nuk e ndjejmë gjithmonë në Amerikën e Veriut. Nuk ka rëndësi se ku kemi shkuar, njerëzit e kanë pritur djalin me krahë hapur dhe i kanë dhënë shumë dashuri. Dhe ne e kemi vlerësuar shumë këtë gjë! Prandaj kur erdhëm në Shqipëri, e dinim që këtu kishte një kulturë familjare dhe këtë e kemi dëshmuar deri tani”, tregon Jennifer.

Shqipëria për Jennifer dhe Seamus, tani nuk është thjeshtë një shtet i largët në hartë, por një vend shumë i përzemërt, të cilin presin ta zbulojnë cep e më cep.

“Këtu ndjehemi shumë rehat. Ky vend të bën të ndjehesh mirë dhe jo me çdo vend ndodh kështu. Gjithashtu Shqipëria është edhe shumë e përballueshme nga ana e çmimeve, për udhëtimet familjare. Dhe ky është patjetër një bonus. Jemi të kënaqur deri tani, me çfarë kemi parë dhe me njerëzit që jemi takuar dhe vendet ku kemi shkuar”.

Pritshmëria për çiftin nga Kanadaja ishte ndryshe nga ajo çfarë gjetën dhe ata nuk ngurojnë ta pranojnë.

“U habitëm nga infrastruktura. S’kishte gropa, rrugët ishin të mira”.

A ka diçka që nuk i pëlqyer? Sigurisht! Trafiku. Por siç thotë Jennifer:

“Por është pjesë e udhëtimit dhe ishte një udhëtim i bukur. Është mirë të dalësh ndonjëherë nga zona e rehatisë dhe të përjetosh gjëra me të cilat nuk je mësuar, kështu që po kalojmë bukur.

Fantastike!”

Intervista u realizua nga një vajzë e re, shqiptaro-kanadeze që si ata udhëtoi nga Thethi në Valbonë. Joy Milkani Imami i intervistoi dhe realizoi një dokumentar për rrugën që do e shfaqim së shpejti në Dritare TV./L.F-dritare.net