
Do para për 2025-ën? Shko te Lisi i Prokopisë!
Dritare.net
Në Berat fshihen shumë legjenda. Një prej tyre flet për Lisin 270-vjeçar të Prokopisë. Legjenda thotë se nëse të bië një lende nga ky lis, begatohesh me pare të madhe. E ku ka mënyrë më të mirë për ta testuar se të vesh në hijen e lisit dhe të shohësh ç’ka rezervuar fati, apo më mirë Lisi, për ty.
DritareTV ishte në Lisin e Prokopisë. Pronari i resortit të ndërtuar pranë lisit, Arsilon Tahiraj tregon më shumë për atraksionin turistik, qindravjeçar.
“Është mbi 250-vjeçar, mund të jetë edhe 300-vjeçar. Ne kemi krijuar edhe një historik me gojëdhënat e fshatit. Pra, kemi pyetur më të vjetrit e fshatit dhe na kanë treguar se është mbi 250-vjeçar. Edhe gjyshi im, që ka jetuar deri në moshën 92-vjeçare, këtë më thoshte. Ky lis ka qenë edhe i shenjtë. Madje, afër tij është një çezmë, e cila është ruajtur. As nuk është prerë dhe as nuk është tentuar të digjet kurrë nga fshatarët. Ka disa gojëdhëna që tregojnë se, po të të bjerë ndonjë boçë nga ky lis, të ecën mbarë dhe mund të bëhesh i pasur. Ne shyqyr Zotit na ka ecur mbarë!", tregon zoti Tahiraj në DritareTV.
Nëse do që viti i ri që po vjen, të jetë i begatë, me para dhe punë, shko te Lisi i Prokopisë dhe pastaj shih çfarë 2025-se të pret./K.C/dritare.net

















