Dikur ishim 20 veta, tani jemi me mijëra! Banori në Shalë: Turizmi po i rikthen emigrantët!
Dritare.net
Në reportazhin e radhës Parajsa mbi Ujë, nga Komani në Dukagjin realizuar në Dritare TV nga gazetarja Rudina Xhunga, Zefi një prej banorëve të zonës tregoi për mrekullitë e kësaj pike turistike të vendit tonë. Zefi foli për sfidat lidhur me braktisjen si plagë ku theksoi se zona ka pasur në vitet 1998 mbi 25 mijë banorë. Pas viteve 90’ ai tha se mbeten vetëm pak banorë, numri i të cilëve u shumëdyfishua vitet e fundit, vetëm për shkak të turizmit.
Për Zefin, zona e Shoshës është një minierë pasi ofron atraksione të shumta për turistët.
"Këtu jemi në Shosh, pjesë e Dukagjinit dhe në vitin 1989 ka pasur 25 mijë banorë e gjitha dhe pjesa e transportit ishte shumë e vështirë. Por njerëzit kishin ndenjur këtu të sforcuar edhe sepse nuk bëhej pashaportizimit në qytet, por i ka mbajtur ky vend me vështirësi.
10-15 vite më parë nuk ishin më 25 mijë vetë, por më pak, u larguan të gjithë. Me zor gjeje 20 veta dhe kur ishin komunat, por aktualisht janë mbi 5 mijë vetë. Janë kthyer përsëri, shembull më i mirë është Thethi por dhe këtu kthehen gjatë verës, ndërsa gjatë dimrit bëjnë rregullime dhe përgatitje. Për shembull, marrin drutë e thata i afrojnë poshtë, rregullojnë ndonjë gjë te fura e kuzhina, mirëmbajnë kuajt. Djali i axhës time po tenton të ndërtojë një stan. Njerëzit u kthyen, këtu është një minierë. Ju e patë sa vetë janë, mjafton t’i shërbesh", u shpreh Zefi.
Ndiqeni emisionin që realizoi gazetarja Rudina Xhunga dhe grupi i xhirimit të Dritare TV, në linkun më poshtë!/dritare.net