Brenda muzeut në Pogradec ku tregohet parahistoria! Flet arkeologu!
Dritare.net
Të gjitha zbulimet arkeologjike nënujore në liqenin e Pogradecit që tregojnë se Lin 3 është vendbanimi më i lashtë në Evropë, gjenden në Muzeun e qytetit.
Në vlogun e radhës, gazetarja Rudina Xhunga ishte në Lin3, për të treguar më tepër detaje për këtë vendbanim, ku kjo zonë së shpejti do të jetë pika e nxehtë e turizmit shqiptar.
“Këtu në këtë muze janë të ekspozuara të gjitha palafitet origjinale. Të gjitha këto janë zbuluar në Lin3, pra janë palafitet origjinale, jo të rindërtuara apo moderne. Këto i përkasin periudhës 5800 vjet para Krishtit. U gjetën të paprekura, pasi vetë uji, në kushte të caktuara ruan shumë mirë materialin organik”, tregoi arkeologu nënujor Adrian Anastasi dhe drejtuesi i projektit shqiptaro-zviceran, që zbuloi se LIN 3 është vendbanimi më i vjetër në Evropë.
Të shumtë janë vizitorët që kanë shfaqur interesin për të mësuar më shumë në lidhje me banesat palafite, që prej kohës që zbulimi bëri jehonë në mediat ndërkombëtare.
“Ka pasur interes prej vitit të kaluar, kur u zbulua se Lin3 ishte vendbanimi më i vjetër në Evropë. Tek ky instalacion, vizitorët mund të shohin se si janë ndërtuar banesat palafite”, tregoi Froseda Tola, përgjegjëse e Muzeut.
Banesat palafite janë ndër format më komplekse të ndërtimit në prehistori, 8000 vjet më parë. Ato ngrihen disa metra mbi sipërfaqen e tokës ose ujit, mbështetur mbi hunj vertikalë të vendosur pranë njëri-tjetrit. Ato ishin në formë kasollesh prej balte dhe byku të përzier me kallama dhe thupra të holla.
Në Lin3 këto banesa janë tipike për periudhën nga Neoliti i Hershëm deri në Bronz (8000-3000 vjet më parë)!
Ndonëse zbulimi u bë së fundmi, kërkimet janë të hershme dhe kontributi i arkeologëve shqiptarë, është i paçmuar.
“Këto kërkime kanë një fillesë, pionierë, njerëz për t’iu bashkuar grupit të atyre që duhet t’i jemi mirënjohës, për çfarë është zbulua. Duke filluar nga profesor Moikom Zeqo, Neritan Cekën, Xhemal Maton, me njerëz që i janë kushtuar kërkimit të lashtësisë së shqiptarëve. Ata janë shkencëtarë, patriotë, të cilëve i detyrohemi”, tha gazetarja Rudina Xhunga në vlogun për Lin 3, vendbanimin më të vjetër në Evropë./M.K-dritare.net