
Bletërritësi: S’më shkon mendja kurrë ta lë Shqipërinë!
Dritare.net
Në një cep të largët të Shqipërisë, në një fshat që ndan veten mes Beratit dhe Tepelenës, jeton një njeri që ka zgjedhur një rrugë të pazakontë për vitet e pleqërisë. Quhet Gëzim Shehu. Ka mbaruar për biokimi, ka shërbyer 43 vite në arsim dhe sot, në vend të pushimit, ka zgjedhur të rifillojë nga e para, si bletërritës në fshatin Zhapokikë.
“Është një profesion që më kompenson tërë lodhjen e 43 viteve”, thotë Gëzimi, ndërsa tregon me krenari kosheret që ka vendosur mes qetësisë së maleve. Ai është kthyer në natyrë, në rrënjë, në atë që e sheh si formën më të pastër të jetës: punën me duar, me tokën, me bletët.
“Unë nuk u largova kurrë. Nuk më ka shkuar mendja të iki refugjat. As në Amerikë, edhe pse më kanë lutur. S’është për mua jeta me 12 orë punë e dy punë në ditë. Mua më lodh betoni, më vret kafeneja. Dua mal, dua ajër, dua bletë”, rrëfen Gëzimi.
Jeta në Zhapokikë nuk është e lehtë. Nuk ka shkollë. Zona përreth, që dikur kishte më shumë se gjashtë fshatra, sot mbulohet nga një shkollë e vetme në Rehovë. Fëmijë nuk ka. Vetëm të moshuar, me bagëti, me kujtime, me shpresë se ndoshta një ditë, kur rruga të jetë bërë, dikush do të kthehet.
“Unë jam kthyer për verën. Vij në maj dhe iki në tetor. Kur fillon akulli, zbres poshtë. Por këtu, kur fillon behari, kur vjen era e mirë e luleve, ngjitem lart.”
Në këtë cikël sezonesh dhe shpirti, Gëzim Shehu ka gjetur paqen. Nuk është pasanik, por thotë se kurrë nuk ka vuajtur për bukën e gojës. “Po mos ishte leku, s’do mbaja kaq shumë bletë. Do mbaja dy a tre për sport”, thotë me sinqeritet./K.C/dritare.net

















