Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Baballarët bektashinj, kujtesa që jeton në muze! Historia, sakrifica dhe shpirti i një urdhri

Baballarët bektashinj, kujtesa që jeton në muze! Historia,

Në dokumentarin e fundit të Dritare TV, gazetari britanik Robert Hackman ndalet gjatë në një prej vendeve më prekëse të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë: muzeun dhe tyrbet ku prehen baballarët bektashinj. Jo thjesht si figura fetare, por si njerëz me histori të jashtëzakonshme, sakrifica të thella dhe mision shpirtëror që tejkalon kohët.

Në një segment prekës të dokumentarit, Hackman ecën përmes tyrbeve, ndalet para varreve dhe rrëfen me qetësi:

“Çdo baba ka një histori. Dhe çdo histori ka një mësim.”

Një nga rrëfimet më tronditëse është ai i Baba Abaz Hilmiut, udhëheqësit që në fillim të regjimit komunist refuzoi t’i nënshtrohej presionit politik për të ndryshuar urdhrin. Përballë trysnisë, ai zgjodhi aktin ekstrem të vetëflijimit: vrau dy bashkëklerikë që bashkëpunuan me regjimin dhe më pas veten.

“Nuk mund të mbaj barrën që po i vendoset bektashizmit,” ishin fjalët e tij të fundit.

Kjo ngjarje, e mbajtur për dekada në heshtje, rrëfehet për herë të parë vizualisht dhe me ndjeshmëri të thellë në dokumentar, si simbol i sakrificës shpirtërore që baballarët bektashinj kanë bërë për të mbrojtur thelbin e besimit të tyre.

Muzeu i Kryegjyshatës, përveç objekteve dhe dorëshkrimeve të rralla, është edhe varreza e shenjtë e disa prej figurave më të ndritura të këtij urdhri. Në çdo tyrbe, përmes objekteve, portreteve dhe simbolikës mistike, paraqitet jo vetëm një jetë njerëzore, por një mësim shpirtëror për dashurinë, durimin, rezistencën dhe devotshmërinë.

“Asnjë nga këta burra nuk jetoi për veten. Të gjithë jetuan për të tjerët. Dhe u përpoqën që përmes heshtjes, urtësisë dhe lutjes, të ndriçonin rrugën e tjetrit,” thotë Hackman.

Dokumentari bën një nderim të heshtur, por të fuqishëm, për këta baballarë, duke i rikthyer në kujtesën publike jo thjesht si figura fetare, por si udhërrëfyes të një Shqipërie që ka ditur të ruajë shpirtin përballë çdo trysnie./dritare.net