Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Himara kalon natë tmerri, 7 banesa përpihen nga flakët! Nis ndërhyrja me helikopter

1788586760_zjarri.jfif

Një vatër e fuqishme zjarri shpërtheu në territorin e Bashkisë Himarë, konkretisht në lagjen nr. 1, pranë zonës së bypass-it, mbrëmjen e së premtes. Si pasojë e erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar zonën përreth dhe disa banesa.


Sipas informacionit të bërë me dije nga Prefektura dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, deri më tani raportohet se shtatë banesa janë djegur totalisht.


Banorët tregojnë se kanë përjetuar një natë të vështirë. Për shkak të përhapjes së flakëve, disa persona dhe turistë janë detyruar të largohen nga banesat dhe strukturat ku ndodheshin, duke u zhvendosur drejt zonave më të sigurta.

Fatmirësisht, nga informacionet paraprake nuk raportohet për persona të lënduar.

Operatorët turistikë dhe pronarët e bizneseve në zonë shprehen se zjarri i ka gjetur të papërgatitur, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë.

Situata ka vijuar të mbetet problematike deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Zjarri i madh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe një situatë të vështirë për banorët e Himarës, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave kanë vijuar punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Në Himarë ka nisur ndërhyrja me helikopter për të bërë të mundur shuarjen e të gjithë vatrave të zjarrit. Deri më tani situata paraqitet më e qetë, ndërsa zjarri që kërcënoi banesat dhe bëri që të evakuohen banorë e turistë, u vendos nën kontroll vetëm rreth orë 02:00 të mëngjesit.