GJKKO dënon me 50 vite burg 7 të pandehurit e dosjes “Revanshi”
Dritare.net

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për shtatë të pandehurit e dosjes “Revanshi”, ku në qendër të hetimeve ishte një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura, të planifikuara apo të dështuara gjatë vitit 2020 në disa qytete të vendit.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për shtatë të pandehurit e dosjes “Revanshi”, duke dhënë në total rreth 50 vite burgim.
Në mesin e të dënuarve është edhe Durim Bami, për të cilin SPAK kishte kërkuar 21 vite burg. Gjykata e dënoi me 16 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar u ul në 10 vite e 8 muaj burg.
Dosja “Revanshi” përfshin hetime mbi 12 ngjarje kriminale, të cilat sipas organit të akuzës kanë ndodhur, janë përgatitur ose kanë dështuar gjatë vitit 2020. Hetimet kanë prekur veprimtarinë e disa grupeve kriminale në qytete si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli.
Dënimet e dhëna nga GJKKO
Durim Bami – 16 vite burg, me gjykim të shkurtuar 10 vite e 8 muaj burg.
Oltion Zefi – 15 vite burg, me gjykim të shkurtuar 10 vite burg.
Edson Jozwik, alias Edson Pjetri/Edmir Pjetri – 12 vite burg, me gjykim të shkurtuar 8 vite burg.
Altin Morina – 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj burg.
Henerigert Mitri – 8 vite burg, me gjykim të shkurtuar 5 vite e 4 muaj burg.
Jozi Kraja – 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar 4 vite e 8 muaj burg.
Aldo Avdylaj, alias Elidon Avdyli – 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar 4 vite e 8 muaj burg.
Vendimi i GJKKO-së vjen pas hetimeve të SPAK për veprimtarinë e grupeve kriminale dhe episodet e përfshira në dosjen “Revanshi”.
Dënimet e dhëna nga gjykata janë subjekt i ankimit dhe çështja mund të vijojë në shkallët e tjera të gjyqësorit./L.F-dritare.net