Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

"Feja e re e shqiptarëve": Shërim, trend apo biznes!

"Feja e re e shqiptarëve": Shërim, trend apo biznes!

Retreat-et në natyrë, meditimi, joga dhe programet e zhvillimit personal po tërheqin gjithnjë e më shumë shqiptarë. Por çfarë kërkojnë realisht njerëzit që i ndjekin dhe çfarë u premtohet atyre? Këtyre pyetjeve u kërkon përgjigje dokumentari "Feja e re e shqiptarëve nga Kalina Poga" në Dritare TV.

Në të flasin mentorë dhe instruktorë që sot drejtojnë retreat-e dhe praktika shpirtërore. Shumë prej tyre e nisën këtë rrugë pas një dhimbjeje personale. Mentorja Diana Pushi nga Reborn Experience tregon se ka punuar si ekonomiste për 26 vite në Toronto. Ajo rrëfen se rreth moshës 40 përjetoi "një përplasje të rëndë në jetë", që e bëri të rimendonte suksesin për të cilin kishte vrapuar deri atëherë.

"Feja e re e shqiptarëve": Shërim, trend apo biznes!

Instruktori i Kung Fu-së Albert Kola nga Retreats Albania tregon se pas 10 vitesh trajnim mori titullin Shifu dhe vendosi ta ndajë me të tjerët atë që kishte mësuar.

"Feja e re e shqiptarëve": Shërim, trend apo biznes!

Sipas tyre, interesi për këto praktika lidhet me mënyrën si jetojmë sot. "Vetë fjala jetë mungon në jetën moderne", thotë Alban Mucaj nga Yoga Nataraja.

"Feja e re e shqiptarëve": Shërim, trend apo biznes!

Sipas tij, njerëzit kanë grumbulluar shumë gjëra materiale, por nuk arrijnë t'i shijojnë sepse jetojnë të shpërqendruar.

E pyetur nëse njeriu modern po kërkon një fe të re, Diana Pushi e sheh këtë si një kërkim për një mënyrë më të plotë të të jetuarit, ku, sipas saj, takohen shkenca dhe spiritualiteti. Ajo deklaron gjithashtu se nuk është "partizane e termës shërim", sepse kjo fjalë i frikëson njerëzit dhe i bën të mendojnë se duhet të jenë të sëmurë për të nisur këtë proces. Sipas saj, njerëzit kanë ardhur në jetë për dy gjëra, "për t'u zhvilluar dhe për t'u shërbyer". Rruga drejt ndryshimit, thotë ajo, kërkon "tre D-të: Dëshirën, Dashurinë, Dedikimin".

Çfarë premton kjo "fe e re" për trupin dhe shpirtin

Mentorët e dokumentarit e nisin punën me trupin, jo me mendjen. Sipas tyre, trupi mban kujtime dhe emocione, ndaj praktikat e jogës fillojnë me përgatitjen e tij.

Instruktorët i përshkruajnë jogën dhe Kung Fu-në si "terapi trupore". Sipas tyre, përvojat e këqija lënë tension në shpatulla dhe në mes, ndërsa ushtrimet që i çlirojnë këto pjesë mund të çojnë në lot, sepse lirohen emocionet e mbledhura.

Një vend të rëndësishëm zënë heshtja dhe natyra. Mentorët thonë se heshtja e jashtme e bën njeriun të dëgjojë zhurmën që krijon mendja gjatë gjithë ditës. "Natyra nuk ka ego dhe nuk të kundërshton", thotë Alban Mucaj, duke shpjeguar pse, sipas tij, natyra e qetëson sistemin nervor më shumë se marrëdhëniet me njerëzit. Ai shkon edhe më tej: "Biseda është marrëdhënia më e varfër që mund të bëjmë me njeri", ndërsa lidhja e vërtetë, sipas tij, krijohet kur njerëzit këndojnë, kërcejnë ose shikojnë njëri-tjetrin në sy.

Edhe ritualet e përditshme kanë vendin e tyre. Instruktorët sugjerojë një ritual të thjeshtë mbrëmjeje: të reflektosh për gjërat e bukura të ditës, të pranosh atë që nuk shkoi mirë dhe ta lësh të shkojë, të marrësh frymë thellë dhe të përqendrohesh te zemra për disa minuta para gjumit. Ndryshimi mes ritualit dhe shfaqjes, thonë mentorët, qëndron te qëllimi: rituali bëhet për t'u lidhur me veten, ndërsa performanca për t'u dukur mirë para të tjerëve.