Fatos Kongoli dhe gënjeshtra e pashmangshme

Nga Arta MARKU

(Rreth librit “Gënjeshtarë të vegjël” të Fatos Kongolit)

Një zile telefoni në një orë të shtyrë të natës është si një kambanë. Diçka ka ndodhur. Aq më tepër kur zilja vjen prej dikujt me të cilën prej kohësh i ke mbyllur hesapet. Në këtë mënyrë, libri më i ri i Fatos Kongolit, “Gënjeshtarë të vegjël” ka nisur i ngarkuar plot me tension. Por në krye të herës nuk zbulohet shkaku i tensionit. Do të na duhet të presim. Sepse letërsia kështu e ka. Kërkon kohën e vet për t’i zbuluar gjërat. Më parë zbulojmë personazhin. Quhet Alpin.

E pamundur që emri i personazheve qendrorë të Kongolit të jetë rastësisht i zgjedhur. “Nuk mund të filloj të shkruaj – më ka thënë dikur në një intervistë, – pa gjetur më parë emrat e personazheve”. Sigurisht fjalën e ka për qendrorët. Sepse shumëçka është e paparashikuar në një roman. Pra mund të ndodhë që personazhe të rinj të dalin rrugës, papritur. Në fillim ndoshta si personazhe periferikë por situata mund të përmbyset në favorin e tyre dhe të dalin në krye duke u bërë qendra e zhvillimit të ngjarjeve. Sidoqoftë në çdo rast, e ka qysh në fillesë libri personazhin e vet qendror, të përcaktuar, me emrin që i përshtatet, një emër që ka një kuptim të veçantë. Sidomos për Fatos Kongolin. Kësisoj edhe Alpini. Nuk është një emër që e hasim lehtë në përditshmërinë tonë. Jo se shkrimtari e ka shpikur. Emri ekzistoka në realitet, por është e rëndësishme ta themi sidoqoftë se si personazh i romanit “Gënjeshtarë të vegjël” ai ka domethënien e vet. Diçka kërkon të kumtojë për mbartësin. Konkretisht e lidh atë me peizazhin e vendit ku ka lindur e është rritur.

***

Alpini ka lindur në fshat. Babai i tij, një mësues që dallon ndjeshëm nga bashkëfshatarët jo vetëm nga puna që bën apo veshja por sidomos nga biblioteka e pasur e shtëpisë dhe leximet që nuk ia ndan vetes, ka plane për të birin. Si çdo baba në fakt. Planet e tij janë të mbështetura mbi qëllime dinjitoze. Së pari ai dëshiron dhe e ndihmon të birin që të ecë në jetë, të ngjisë shkallë të denja karriere. Pse jo, të angazhohet në politikë. Në këndvështrimin e babait, asgjë të errët s’ka në këtë mes. Dhe pse të ketë fundja. Më e pakta që duhet të bëjë biri, veçse të mësojë e të ketë rezultate të mira në shkollë, të ikë nga fshati. Të ngulet në kryeqytet. A nuk duhet një rrugëtim i tillë për këdo që kërkon të ecë në jetë? T’i ikë periferisë, të synojë qendrën? Padyshim që po.

Alpini ia del. Rezultatet në mësime ia mundësojnë vajtjen në universitet e për pasojë në kryeqytet. Por deri tani jemi krejt në skaj të ngjarjes a ngjarjeve të librit. Qendra është tjetërçka. Qendra e librit është Alpini vetë, në rrugëtimin e gjetjes së vetvetes, të gjetjes së asaj pjese që e humb pa dashur, të asaj që mesa duket është thelbësore për të, për njeriun tek e fundit.

Çfarë i duhet mbi të gjitha njeriut në jetë? Alpinit nuk i intereson politika. Nuk është tipi i përshtatshëm. Çfarë parapëlqen është të jetojë jetën e vet të bukur së brendshmi, me emocione të vërteta, pa gënjeshtra mbi të gjitha. Por (e çuditshme?), gënjeshtra është çfarë e rrethon. Të gjithë personazhet rreth tij kanë gënjeshtrën e vet. Të vogël herë herë, por të madhe shumë herë.

Alpini kërkon vajzën e ëndrrave, një përfytyrim më tepër sesa realitet. Por (e çuditshme?) ajo gjithnjë IKËN. Ikën jo vetëm prej tij, ikën prej shumëçkaje. Prej vetes ndonjëherë. IKJA me “I” të madhe e karakterizon librin e Fatos Kongolit ku të gjithë duan të ikin pa e ditur as vetë se ku. Thjesht duan të ikin, dhe ikin. Me vete të gjithë mbartin një gënjeshtër. Rovena mbart gënjeshtra të vogla. Të vogla i quan dhe preferon më mirë të mos i rrëfejë. Ose të rrëfejë shumë gënjeshtra pa u identifikuar me asnjërën. Viola ka gënjeshtrën e të ëmës, aq të madhe, sa mjafton për ta shtypur e për ta mbajtur pa frymë nën vete. Gënjeshtra e Emës i kapërcen përmasat e asaj vetë, shtyp të tjerët. Por Emës kjo nuk i intereson. Gënjeshtrat e mbështjellin Lugën, pasanikun deputet që nuk shfaqet me zë e me figurë në libër, ashtu sikurse në parlament ku s’ia kanë dëgjuar kurrë fjalën. Gënjeshtrat e Fatjonit janë të mbështjella me fshehtësi dhe mister, janë pelin. Gënjeshtra e Orestit duket si e papërfillshme, por është fatale për atë. Gënjeshtra gjithandej. Vetë Alpini përpëlitet mes të vërtetës së tij që kërkon ta thotë por sa herë bëhet gati nuk mundet. Pak ngase i krijohen të tilla rrethanat, pak se guximi nuk është një tipar që e karakterizon. Ia del më në fund ta artikulojë të vërtetën e tij: nuk dua të zhgërryhem në ferrin kryeqytetas. Gjithçka e shtrenjtë e imja është këtu, në shtëpinë ku kam lindur.

LEXO DHE :  Policia bllokon lokalin e Kokëdhimës që terrorizoi turistët spanjollë, mund të shembet

Siç duket dhe siç dihet, gjithçka e shtrenjtë dhe me vlerë për njeriun është brenda tij. Sepse e vërteta e gjithsecilit ekziston, mjaft ta kërkojë, mjaft ta kuptojë e vjen koha më pas ta pranojë, ta shprehë, të mbështetet mbi të.

***

“Gënjeshtarë të vegjël”, nuk është një libër subjekti i të cilit mund të rrëfehet me dy fjalë. Padyshim në qendër është një personazh dhe në tre kohë të ndryshme ai është përballë tre vajzave me të cilat ka lidhje intime. Por terreni mbi të cilin këta vënë këmbët është përplot i populluar me personazhe të tjerë me ngjyra e tonalitete të ndryshme, plot dritëhije, me skuta të errëta apo hapësira të dritshme, me bare nate ku sillen njerëz misteriozë dhe restorante të hareshme ku pihet dhe qeshet me zë të lartë, me skena fshati të mbështjella nga heshtja e muzgut dhe rrugë të zhurmshme qyteti. “Gënjeshtarë të vegjël” është përplot me personazhe të papritur që e shijojnë jetën gëzueshëm dhe me uriah hipë që ngrenë çarqe në mjegull për të mos u vënë re.

Alpini për vete është edukuar në një mjedis pozitiv por për të qëndruar në ekuilibër në botën dhe kohën tonë, duhet Fatjoni përballë. E mira përkundruall të keqes, siç është në realitet. Qëllimi i jetës së Fatjonit nuk është thjesht t’ia kalojë Alpinit por ta vërë atë nën këmbët e veta. Për këtë nuk kursehet në djallëzi. Sinjalin e parë, ndaj të cilit Alpini nuk ka reaguar, e ka dhënë në kohën e shkollës kur në një fletë të fletores, në dy kolona të ndara, shënonte notat e veta dhe të shokut. Të dy ishin në krye. Të parët e klasës. Por për Fatjonin kishte rëndësi që Alpini të ishte jo thjesht pas tij, por nën të. Më vonë do të bëjë shumë më tepër që ta shkelë. Pse? (E çuditshme) Vetë realiteti është përplot me PSE pa përgjigje…

Alpini është në dritë. Është ai vetë që rrëfen vetveten tek e fundit. Fatjoni është në errësirë, shfaqet në momentet më të papritura por kjo nuk do të thotë se ndërsa nuk është shfaqur nuk ka vepruar. Jeta është e çuditshme. Nuk ekziston një alef, një pikë prej nga mund të shohim kudo e këdo në të njëjtën kohë. Ndaj nuk e dimë realitetin qysh më parë. Sidoqoftë, duhet të mësojmë të ecim, duke u orientuar edhe në mungesë të së njohurës. Çfarë vlen më shumë është të ndihemi mirë me veten, të bëjmë zgjedhjet tona që na përkasin, zgjedhjet që na vijnë së brendshmi dhe nuk na i imponon kush. Në rrugëtimin tonë humbim, e për çfarë humbim na merr malli… Çfarë na mbetet është kërkimi, gjithnjë e i vazhdueshëm, me shpresën se do ta gjejmë sërish çfarë kemi humbur… Dhe pastaj, na lipset dashuria. Po dashurinë, a e gjejmë?

***

Teksa lexojmë një libër dhe harrojmë se jemi duke lexuar, pra jemi përfshirë, libri na ka gëlltitur, do të thotë se kemi në dorë librin e duhur. Tek e fundit ky është qëllimi i letërsisë, të na përfshijë. Nëse ndodh kështu vijnë padyshim më pas, pyetjet që gjithnjë letërsia e mirë i shtron… Ky është libri i Fatos Kongolit, “Gënjeshtarë të vegjël”./dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.