Na ndiqni edhe në

Emisionet

Si e mbrojtën punëtorët uzinën e Ferrokromit në Burrel gjatë trazirave të '97-ës!

Si e mbrojtën punëtorët uzinën e Ferrokromit në Burrel

Në një rrëfim të jashtëzakonshëm në Shqip nga Rudina Xhunga, Dritare TV, ish-drejtuesit e Uzinës së Ferrokromit në Burrel kanë zbardhur për herë të parë një nga kapitujt më heroikë dhe të panjohur të historisë moderne shqiptare, mbrojtjen e pasurisë kombëtare gjatë anarkisë së vitit 1997.

Telat Haxhiu, ish-kryeinxhinier dhe më pas drejtor i uzinës, së bashku me specialistin elektrik Xhavit Metra, sollën dëshmi se si uzina e Ferrokromit në Burel, e ndërtuar në vitet '70 ishte një nga të paktat objekte që nuk pushoi punën asnjë ditë, madje as kur depot e armëve u hapën dhe Shqipëria u përfshi nga flakët e trazirave civile.

"Në datën 13 Mars 1997, kur të gjithë po armatoseshin dhe depot u shpërthyen, ne morëm një vendim, të mbronim uzinën", rrëfen Haxhiu. Ai tregon se si u krijua një 'Shtab Mbrojtjeje' me turne 24-orëshe, ku inxhinierët dhe punëtorët, mes zhurmës së kallashnikovëve, vazhdonin të prodhonin krom për eksport.

Një nga momentet më kulminante të intervistës ishte dëshmia mbi transportin e pagave.

Kur sistemi bankar ishte paralizuar, Telat Haxhiu ndërmori një udhëtim drejt Tiranës me një makinë të thjeshtë, duke kaluar përmes postblloqeve të bandave të armatosura, për të tërhequr 132 milionë lekë (të vjetra) rroga për punëtorët.

'Isha i vetëm. Nëse do më ndalonin, isha i eliminuar fizikisht,' kujton ai. Ky akt i pastër idealizmi, ku paratë u transportuan në thasë dhe u shpërndanë deri në qindarkën e fundit, qëndron në kontrast të thellë me korrupsionin dhe plaçkitjen që pasoi vitet e mëvonshme.

Intervista nxjerr në pah jo vetëm heroizmin, por edhe dramën e pas-97-ës.

Pas normalizimit të situatës, ironikisht, ata që e mbrojtën uzinën u larguan nga drejtimi, duke i hapur rrugë koncesioneve dhe privatizimeve që shpesh rezultuan në keqmenaxhim. Haxhiu dëshmon me dhimbje se si pjesë të rëndësishme të uzinës, të ruajtura me gjak në '97-ën, u shitën më vonë për skrap.

'Ajo që ruajtëm ne mes plumbave, u vodh kur erdhi qetësia', shprehet ai. Ky rrëfim është një homazh për brezin e profesionistëve shqiptarë, të cilët, të udhëhequr nga ndjenja e detyrës dhe atdhedashurisë, vendosën të mirën e përbashkët mbi sigurinë personale. Është një histori që na kujton se edhe në momentet më të errëta të një kombi, ka individë që zgjedhin të ndërtojnë dhe të mbrojnë, në vend që të shkatërrojnë.

Sot, ndërsa ata kërkojnë thjesht një 'faleminderit' dhe jo rritje pensionesh, historia e Uzinës së Ferrokromit mbetet një leksion i gjallë qytetarie dhe dinjiteti profesional./dritare.net