Shqipëri-Greqi, si u shmang konflikti detar në 1994! Flet oficeri i Marinës!
Dritare.net

Në një intervistë pë Dekalog, në Dritare TV, Artur Meçollari, ish-ushtarak i Marinës ka sjellë fakte dhe interpretime të reja mbi Incidentin e Kanalit të Korfuzit, një nga ngjarjet më të rënda të Luftës së Ftohtë që çoi në izolimin e plotë të Shqipërisë. Gjatë emisionit Meçollari argumentoi se ngjarja e 22 tetorit 1946, ku dy luftanije britanike ranë në mina duke shkaktuar vdekjen e 44 ushtarakëve dhe plagosjen e 42 të tjerëve, nuk ishte një incident i rastësishëm, por një provokacion i mirë-orgranizuar, me prapavijë të qartë politike.
Sipas Meçollarit, për të kuptuar ngjarjen kryesore, duhet kthyer pas në kohë, në 15 maj 1946, kur bateritë bregdetare shqiptare qëlluan në drejtim të dy anijeve britanike. Ky veprim, i urdhëruar nga lidershipi i lartë shqiptar, tensionoi marrëdhëniet tashmë të brishta dhe i hapi rrugë përshkallëzimit.
Ai thekson se ky akt shërbeu si justifikim për Britaninë e Madhe për të demonstruar forcë në ujërat territoriale shqiptare. Kulmi arriti më 22 tetor 1946. Meçollari zbuloi se anijet britanike kishin një “urdhër operacional” specifik për atë ditë, i cili parashikonte një reagim të mundshëm nga pala shqiptare, por nga toka, jo nga minat. Kjo, sipas tij, tregon se britanikët po provokonin një reagim, por nuk ishin në dijeni të fushës së minuar.
Meçollari hedh tezën se minimi i kanalit ishte vepër e Jugosllavisë, e kryer me miratimin e një rrethi të ngushtë drejtuesish shqiptarë, përfshirë Enver Hoxhën.
Qëllimi i Titos, argumenton ai, ishte izolimi total i Shqipërisë nga Perëndimi, duke e bërë atë plotësisht të varur nga Beogradi, si një hap drejt aneksimit. Vendimi për minimin, sipas tij, u mor në takimin mes Hoxhës dhe Titos në Bled, në gusht të vitit 1946. Ngjarja çoi në një proces gjyqësor të gjatë në Gjykatën e Hagës, ku Shqipëria u shpall përgjegjëse jo si vendosëse e minave, por për shkak se ishte në dijeni të ekzistencës së tyre dhe nuk njoftoi lundrimin ndërkombëtar.
Si pasojë, Britania sekuestroi arin shqiptar, një çështje që u zgjidh vetëm pas rënies së regjimit komunist. Gjatë diskutimit, u përmend edhe një mister ende i pazbardhur, një anije jugosllave e mbytur dhe e mbushur me mina në gjirin e Butrintit, e cila nuk pretendohet nga askush dhe që mund të jetë një nga anijet e përdorura për operacionin e fshehtë.
Meçollari ndau gjithashtu një eksperiencë personale, atë që ai e quan “Incidenti i tretë i Kanalit të Korfuzit” në vitin 1994, ku si komandant i një anijeje shqiptare, u përball me një anije greke që shkeli ujërat territoriale në një periudhë tensionesh të larta mes dy vendeve, duke rrezikuar një përplasje të armatosur. Kjo ngjarje paralele tregon se sa e ndjeshme ka mbetur kjo zonë strategjike detare përgjatë historisë./dritare.net