
Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi që çon në terrorizëm
Dritare.net

“Ekstremizëm i dhunshëm në Shqipëri?! Pfff, po ç’është kjo! Muhabet projektesh, duan të marrin ndonjë copë.” – kështu dëgjoj njerëz të thonë sapo dëgjojnë të flitet për ndonjë nismë kundër këtij fenomeni që ka lënë jo pak të vdekur e të lënduar së fundmi në shumë vende të botës. Qeveritë e disa prej tyre si Austria, Gjermania dhe Suedia kanë zgjedhur të mbështesin një projekt edhe në Shqipëri, i cili do të fokusohet tek të burgosurit dhe të dënuarit e vendosur në shërbim prove.
“Pothuajse si sot një vit më parë ndodhi një sulm terrorist në Stokholm, 200 metra larg zyrës sime. Pesë vetë humbën jetën, shumë të tjerë u plagosën. Terrorizmi nuk është çështje numrash. Qoftë edhe një person i vetëm mund të lëndojë shumë.” – tha Ambasadori suedez në Shqipëri, Johan Ndisi, në një konferencë sot organizuar nga OSBE-ja, zbatuesja e këtij projekti në Shqipëri.
Sidomos në burgje, vendi ku njerëzit ndihen të lodhur, mbytur nga monotonia, tendenca të ideologjive të tilla që mundohen që për shumë probleme t’ua hedhin fajin të tjerëve, mund të gjejnë vend edhe më lehtë. Prandaj edhe vetë punonjësit e burgjeve apo të Shërbimit të Provës që janë në kontakt të përditshëm me të dënuarit duhet të jenë në gjendje t’i dallojnë sa më herët njerëzit me këto prirje që rrezikojnë të bëjnë edhe të tjerë për vete.
Shyqyr Zotit, Shqipëria nuk e ka ndonjë problem shumë shqetësues ekstremizmin e dhunshëm apo radikalizimin, siç tha edhe Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt. Megjithatë, them unë, meqë vende të tjera që e kanë hequr mbi kurriz, ofrojnë të na ndihmojnë që ta mbajmë larg, pse të mos u themi ‘Faleminderit’ e të mësojmë prej tyre?
Ekstremizmi islam radikal në burgje është një problem që po prek shumë vende, u tha në konferencë. Në raport me popullsinë, Gjermania dhe Shqipëria kanë të njëjtën përqindje të dënuarish të radikalizuar në burgje. Gjermania, për shembull, ka 300. - the Ambasadori Borchardt. Megjithatë, problemi ekziston. Ai iu referua edhe një eksperti të njohur francez, Oliver Roy, i cili ka thënë se burgu është vendi i parë i radikalizimit. Edhe Kreu i Këshillit Mysliman në Gjermani e ka konfirmuar këtë, duke thënë “Është fakt që në burgje ka radikalizim”.
Duke folur për dhunën, edhe Drejtori i Shërbimit të Provës të Shqipërisë përmendi një shifër që vështirë të të hiqet nga mendja. Vetëm në 2017-ën kanë marrë dënim alternativ 370 vetë në Shqipëri për dhunë në familje. Këta janë ata që janë parë nga gjykata se mund ta vuajnë dënimin edhe nga shtëpia e tyre, jo domosdoshmërisht në burg.
Po si dallohen radikalët në burgje apo gjetkë? Ja disa nga gjërat që i bashkojnë:
- E gjejnë fajin te të tjerët: Perëndimi është në luftë me myslimanët.
- Pretendojnë se myslimanët nuk kanë vend në shoqëritë perëndimore dhe se, për këtë arsye, nuk është për t’u çuditur që ata i hyjnë botës së krimit;
- Sipas tyre pushteti laik nuk mund t’i dënojë, i vetmi që mund ta bëjë këtë është Zoti.
Madje radikalët ofrojnë edhe alternativa: aventurat e xhihadit apo kënaqësitë që i presin martirët në parajsë.
E megjithatë, unë thellë-thellë dua të besoj se, pavarësisht halleve esktreme që kemi dita-ditës ne shqiptarët, do të dimë të mos i lëmë vend këtij lloji ekstremizmi. Nuk jemi ne nga ata që hedhin në erë veten apo të tjerët, pa çka se dimë shumë mirë të zhytemi në varfëri duke bërë sehir veten./Dritare.net/

















