
Ekskluzive/ Ju tregoj një ditë timen, në call center
Dritare.net

“Forca ragazzi, shpejt se jemi keq me objektivin". Është zëri i supervizores që mundohet të nxisë të rinjtë e ulur para kompjuterëve, të një zyre call center.
Pastaj ajo vendos kufjet dhe hyn në një botë tjetër.
“Këtu duhen harruar të gjitha hallet, thotë duke qeshur. Forca, duhet t’ju shoh më entuziastë.”
Dhe kështu nis dita për mijëra të rinj të qendrave telefonike në Tiranë.
Të frymëzuar nga “The Wolf of Wall Street”, shumica prej tyre bërtasin e diskutojnë me klientët për të mbyllur sa më shumë kontrata, në një dhomë të vogël dhe të zhurmshme si koshere.
Jorida është një nga operatoret më të mira të grupit. Ajo tregon se ka më shumë se katër vjet që punon në call center, qysh në kohën, kur ishte studente. Ka mbaruar universitetin me nota shumë të mira, dy vjet më parë për infermieri, por pa mundur të gjejë një punë në profesion.
“Më kanë kërkuar të paguaj 3000 euro për të filluar në një nga ambulancat e lagjeve. E për çfarë t’i jap këto ? Që të punoj 8 orë me një rrogë prej 350 mije lekësh të vjetra, me stresin se do më largojnë nga puna, nëse një tjetër pas meje jep më shumë ? Nuk kam përse të jetoj me këtë pasiguri, kur këtu për 6 orë pune fitoj 500 euro. Për më tepër, me kaq call center që hapen çdo ditë nuk rrezikon të ngelesh pa punë .”
Thonjtë e gjatë e të lyer bukur i bien shumë në sy dhe duke qeshur më thotë se me paratë që fiton këtu, arrin të paguajë palestrën dhe shërbime të tjera.
Si Jorida ka dhe shumë të rinj të tjerë që janë diplomuar me rezultate të mira e në pamundësi për të ushtruar profesionin vijnë edhe ngushëllohen me lekët e call centerave. Shërbimet dhe produktet që shesin janë në gjuhë të ndryshme si anglisht, gjermanisht, frëngjisht etj., por 90 % e tyre janë në italisht. Një pjesë tjetër e të rinjve paguajnë kurse për të mësuar italishten dhe në fund qendra ju siguron edhe një vend pune si operatorë.
Erilda, një vajzë e qetë me flokë të gjata, ulur ngjitur me Joridën e mbështet kolegen dhe shton se është e vetmja mundësi për te punuar me kohe të pjesshme.
“Unë jam studente për Gazetari dhe normalisht që do luftoj për të gjetur një punë të mirë, por edhe këtu nuk është aq keq. Ka energji, konkurrencë, motivim, jemi të gjithë të rinj dhe paguhemi shumë mirë.”
Në këtë zyrë të rinjtë janë nga mosha 18-30 vjeç dhe e flasin italishten shumë mirë, pa asnjë theks. "Megjithatë, klientët e kuptojnë që ne nuk jemi italianë dhe kjo është një nga vështirësitë që ndeshim", shprehet Erilda duke iu referuar klientëve që telefonon.
Për të pasur sukses në një fushatë promocionale kërkohen operatorë të zgjuar dhe të shkathët, që këmbëngulin për të arritur qëllimin. Kush nuk kap objektivin merr paralajmërim për mungesë produktiviteti.
Vajzat tregojnë se jo të gjithë kanë durimin dhe aftësitë për të punuar në këtë biznes. Ato kanë ndeshur me dhjetëra të rinj që dorëzohen pa kaluar java e provës, ose të tjerë që pësojnë dëmtime në shikim apo dëgjim.
“Nga ana tjetër ka shumë presion, thotë Jorida, normalisht, ata të paguajnë dhe duan të arrish objektivin, ushtrojnë presion mbi supervizoren dhe pastaj rrjedhimisht ajo tek ne, operatorët. Ka edhe ditë kur listat e numrave janë të përdorura tepër dhe në ato ditë me zor i shtyjmë 6 orë”.
Pasi kanë folur me klientët për dy orë, supervizorja urdhëron të bëjnë 15 minuta pushim dhe 14 operatorët e grupit mblidhen në ballkon e bashkohen me grupin tjetër.
Janë të gjithë të rinj dhe të arsimuar, dhe në pamundësi të gjetjes së një profili pune që përputhet më studimet e tyre, janë bërë fokus i një industrie që po zhvillohet shumë shpejt në kryeqytet e më gjerë.
Pronari i kësaj zyre është po aq i ri sa ata. I diplomuar për regji, Bruno Muskaj shprehet se është futur në këtë biznes me qëllimin që të fitonte sa më shumë para që do i shërbenin për të ardhmen në teatër.
“Duhet të gjeja një mundësi për të qëndruar në Tiranë, sepse në Fier nuk kam asnjë shpresë. Teatri është bota më e mrekullueshme për personat që duan të përjetojnë një jetë plot me emocione, është një art, një univers që unë e dua shumë. Por duke parë përfitimet ekonomike dhe duke u rritur biznesi, pasioni dhe profesioni im për fat të keq kaluan në plan të dytë.”
Ai shprehet se bota e call centerit është e mbushur me njerëz që flasin vetëm për shifra, kontrata, biznese, mandate, punonjës dhe gjithçka tjetër që nuk ka lidhje me ëndrrat e tij.
"Herën e fundit që kam qenë në teatër u ndjeva vërtet keq, kësaj here jo vetëm sepse arti tek ne vazhdon të shtyhet me këmbë, por edhe sepse mu duk sikur call center më ka ndrydhur një pjesë të bukur timen."
“Jam i bindur se do ia dalim të gjithë, thotë Bruno, puna do të ecë mirë dhe një ditë, pasi të bëjmë atë që duhet, do të nisim me atë që duam. Mua patjetër që do të më gjeni mbrapa skenave shqiptare.”
Ndërsa unë që shkruaj këto radhë, do të doja të shkruaja një ditë. Tani punoj në call center, por një ditë do të jem gazetare./dritare.net

















