Na ndiqni edhe në

Editorial

Ç’të gjen të duash të blesh tokë në Shqipëri!

Ç’të gjen të duash të blesh tokë në

Nga Dritan Hila

Brendon Grimshaw në vitin 1962 blen për 10.000 $ (=100 mijë $ të sotëm) Moyenne, një ishull prej 10 hektarësh në Seyshelle në veri të Madagaskarit (me kaq nuk blen dot 1 dynym në fshatrat e Tiranës). Le punën si drejtor gazete në Angli dhe ikën të jetojë aty. Vdes pas 50 vitesh. Kishte mbjellë 10.000 pemë, mundësuar 2/3 e specieve të zogjve tropikale të riktheheshin dhe 100 breshka deti në prag zhdukjeje ta kishin fole të tyre. Refuzoi t’ia shiste sauditeve për 50 milionë dollarë. Para se të vdiste ia doli ta shpallte ishullin e tij Park Kombëtar.

Nëse Grimshaw do ishte në Shqipëri, nuk do blinte dot asnjë ishull, pasi aq pak sa kemi janë me “pronarë” që as në 2024-ën nuk dinë not, por edhe nëse do blinte një copë toke djerrë për 100€/m2 dhe do tentonte ta rrethonte, do t’i dilte fshatari që e ka marrë me AMTP, por nuk e ka mbjellë e as paguar taksat, pastaj ish-pronari i vjetër që thotë e kam tokë babe, pastaj ai që ka falsifikuar certifikatën, pastaj ai që ka bërë themele pa leje dhe do trefishin e lekëve. Pastaj t’i nxirrte letrat në hipotekë por nëpërmjet e-Albania që ia nis letrat njërit në zyrën e Kukësit dhe as i qethet për ty po nuk kërceve, pastaj vjen IKMT-ja, Shkpq, Tqr, Çqt, Rktk, kryeplaku, administratori, bashkia, hipoteka, policia bashkiake, policia e rendit dhe në fund do dilte që harta ka mbivendosje.

Nëse do të ndërtonte një kasolle do t’i duhej ta kthente nga arë në shesh ndërtimi pastaj të paguante për korrentin, ujin dhe kanalizimet por që duhet t’i bënte vetë, do t’i duheshin dokumente për leje ndërtimi sa për një kullë 64 katërshe, me ndryshimin që atij do ia nxjerrin hurin pas qafe, kurse kullës ia japin letrat në dorë, se përndryshe është një që bërtet nga penxherja dhe ca të tjerë që dhjesin gjak nga ai.

Dhe Grimshaw do mblidhte mendjen dhe rrinte në furrikun që ka në Tiranë në mes të pyllit orbital që është në vetvete ca mullaga të zgjebosura të mbjella një në çdo dhjetë ballkone, pasi shqiptarët kanë alergji nga gjelbërimi, ku do thithte pluhur 10 në sasi 30 herë më të lartë nga norma dhe do shikonte lajmet sa mirë ishte apo se duhej të bënte revolucion me gjithfarë gdhësh hajdutë. Për të ndjekur pastaj Discovery Channel apo National Geographic në televizor ose do vendoste që të shkonte në Puglia ku toka shitet 4€/m2 ose në Parga ku një parcelë ndërtimi 500 m2 e bonifikuar dhe elektrifikuar kushton vetëm 12.000€, ku lejen e merr brenda muajit dhe komshiu nuk të bën kasollen e lopës te gardhi që ta mbushë shtëpinë me miza e mushkonja!/dritare.net