Na ndiqni edhe në

Editorial

Takimi Bardhi-Paloka si trepikësh për Berishën!

Takimi Bardhi-Paloka si trepikësh për Berishën!

Nga Dritan Hila

Delegimi i Gaz Bardhit si interlokutor me fraksionin e Berishës, mbase është llogaritur nga fraksioni i Alibeajt si provokim për Berishën. Bardhi njihet si më agresivi ndaj tij duke e quajtur deri “babai i Xenit”, duke aluduar kështu për aferat korruptive për të cilat i biri akuzohet.

Ndoshta në kampin Alibeaj&Basha kanë menduar se Berisha do ta refuzonte, duke vrarë kështu me një gur tre zogj: Berisha dilte në sy të demokratëve si njeri që nuk e do bashkimin; fitonin në sytë e demokratëve rolin e faktorit përcaktues dhe amerikanëve nuk ju prishej uzdaja.

Mirëpo mesa duket nuk kanë llogaritur aftësinë elastike të Berishës i cili ka bërë anëtarë qeverie edhe ata që e kanë sulmuar me tank dhe ndaluar në polici, jo pastaj që të takonte Palokën me Bardhin. Dhe nuk zhgënjeu. Në ndryshim nga këta që luajnë pesëkatësh, Berisha është lojtar shahu.

Sido që të vejë takimi, ai fitoi në të trija pikat: Pas deklaratave për bashkim tregoi se është i gatshëm ta negociojë atë; sado të përpiqet Basha dhe Alibeaj të zënë kreun e tavolinës, është Berisha dhe hija e tij që kudo ta vendosësh në trapezë, aty është edhe kreu i saj dhe së fundmi ju tregoi amerikanëve se ish-nëpunësit e tij ende janë të hipnotizuar nga hija e shefit dhe nuk kanë këllqe të përballen me të.

Por mbi të gjitha ky ishte një operacion i marrëdhënieve publike që nuk ka të paguar në favor të Berishës.

Gjithsesi lajmi tjetër është që Edi Rama është kaq pak i shqetësuar nga kjo opozitë saqë nuk po kujtohet të kthehet në atdhe./dritare.net