Na ndiqni edhe në

Editorial

Plumbat e ‘97-ës që vrasin akoma!

Plumbat e ‘97-ës që vrasin akoma!

Nga Dritan Hila

Në Vlorë është vrarë me snajper një 23 vjeçar. Shtypi thotë se është ngatërruar me xhaxhain e tij dhe ca të tjerë për të marrë hak ndaj babait që është në burg. Ca të tjerë se ka hesapet e tij në Belgjikë nga edhe kishte ardhur për vizitë.

E gjitha kjo pak rëndësi ka. Atë e vranë plumbat e ‘97-ës. Aty ka zanafillën pështjellimi i këtij kombi edhe për pesëdhjetë vitet që do të vijnë. Nëse nuk do të ishte hapja e depove në atë vit të mallkuar, nëse një plak sot i rrëgjuar, që atëherë ishte president dhe sot bën martirin nga ballkoni i shtëpisë, nuk do të hapte depot, sot ai djalë do të ishte gjallë.

Nëse nuk do të ishte ‘97-ta dhe epshi i panginjur i Sali Berishës për pushtet, nëse nuk do ishte hakmarrja e tij shtazarake për të shtypur kundërshtarët, armët do ishin akoma në depo dhe hasmëritë nuk do kishin marrë dhenë.

220 vrasje në Tropojë dhe mijëra në gjithë Shqipërinë që ende kullojnë gjak, janë vetëm fillimi i një gjakderdhjeje që do të vazhdojë me dekada dhe kanë vulën e plakut që sot ligjëron për demokracinë. Nëse nuk do ishte ‘97-ta, Sokol Sinomati nuk do kishte armë në dorë, armë që në ‘97-ën dukeshin si lodra. Ka shumë të ngjarë që gjithë ato banda që u krijuan në mbarë vendin në atë vit të mbrapshtë, të mos ishin bërë dhe nëse do të ishin bërë mos kishin shkaktuar gjithë ato vrasje. Se adoleshentëve të asaj kohe iu dukej vetja si kauboj. Dhe e gjithë iu dukej si lodër. Lodër makabre që nëse nuk i ka ngrënë dheu, sot po e paguajnë me burgje dhe vrasjen e fëmijëve të tyre. Dhe gjithçka fillon nga ‘97-ta, nga viti kur filluan hasmëritë që kanë nisur të hanë brezin e dytë të shqiptarëve e që nuk dihet kur do të përfundojnë./dritare.net