Na ndiqni edhe në

Editorial

Sikur mos të kishte protesta?

Sikur mos të kishte protesta?

Nga Dritan Hila

Sikur mos të protestonte PD-ja dhe mos hidheshin disa fishekzjarrë, do ishte problem i madh për Ramën. Por fatmirësisht PD-ja proteston, hedh molotovë, plagos ndonjë polic, arrestohen pastaj lirohen sherrxhinjtë dhe bën gjurulldi në parlament.

Imagjinoni një qetësi olimpike në Tiranë. Atëherë do të kishte rezultat gjithë propaganda e PD-së. Ndaj Rama kujdeset për mbarëvajtjen e protestave të PD-së. Ja, për shembull, nëse do arrestonte protestuesit me molotovë dhe pastaj t’i niste në ndonjë kamp pune në Tropojë, atëherë do kishte vlerë krahasimi i atyre kalamajve me Navalnin dhe trajtimin që ju bën Putini protestuesve. Por jo, Rama në darkë i çon në shtëpi. A ka më demokraci se kaq?

Kemi parë sesi anarkistët në Torino masakruan një polic. Edhe këtu i sulmojnë madje nganjëherë ju vënë edhe flakën. Dhe e gjitha nuk ka të sharë krahasuar me demokracinë italiane. Madje Rama është me tolerant se Meloni, e cila e arrestoi dhe e ka në burg një nga agresorët e policit. Rama në darkë i çon në shtëpi.

Po sikur Rama të fuste në burg kryetarët e bashkive opozitare, çfarë do thuhej? Që ngjan me Erdoganin? Por është e kundërta, Ramës i kanë burgosur kryetarët e vet dhe për këtë nuk kërcënon askënd.

Po sikur në parlament mos kishte sherre? Atëherë do të ngjanim me parlamentin e Koresë së Veriut. Por Rama kujdeset vetë të nxisë debate, madje edhe kur nuk ka temë, cyt rioshët e sapohyrë që t’i tundin bezen e kuqe Berishës. Dhe kështu fillon debati, shamata, tamam si në Stanet e Kaukazit. Patjetër ka të drejtë opozita që kërkon komisione ose nganjëherë qiqra në hell. Sikurse ka të drejtë Rama që nuk ua jep komisionet por vetëm qiqrat. Dhe kjo është demokracia në veprim ku të gjithë janë të kënaqur. Kënaqet opozita që është në ballë, dhe Rama që është në majë, por kënaqet edhe perëndimi për demokracinë në veprim. Fundja Rama as vret, as pret e as burgos nga opozita. Mediut dhe Saliut ua prish rehatin një herë në disa muaj sa për të thënë, por krahasuar me ca udhëheqës të perëndimit që mbetën gjykatave, kjo është asgjë.

Në Shqipëri ka opozitë, që ç’ke me të. Kemi të djathtën e Shehajt, qendrën e Lapajt dhe ekstremin e majtë të Qorit. Nuk është faji i Ramës se ata aq takat kanë. Por opozitën e kemi të të gjitha ngjyrave. Nuk kanë numrat, por ky është edhe problemi i popullit që nuk i mbushet mendja. Dhe populli ka me çfarë merret, në kafen që është në rrugën ngjitur me protestat, duke u zënë sa ishin e sa s’ishin.

Ndaj shumë mirë që ka protesta. Kemi të gjithë me çfarë të merremi./dritare.net